AlbanianSport.com 21/01/2024 16:15
ASNN – Skiatorja kuqezi, Lara Kolturi, nuk ka arritur ta përfundojë të dielën zbritjen e dytë të garës së sllallomit në stacionin e radhës të Kupës së Botës në Jasna të Sllovakisë, teksa po premtonte një tjetër rezultat të mirë, por ishte e pafat. Vetëm një ditë më parë, skiatorja italiane me pasaportë shqiptare ishte sërish protagoniste, teksa pati një tjetër garë të mirë në sllallomin gjigand, duke u renditur e 13-ta pas dy zbritjeve.
Ndërkaq, edhe të dielën ka bërë një zbritje të parë të mirë në garën e sllallomit, teksa midis 4 sektorëve të kësaj zbritjeje, ajo është luhatur nga vendi i 32-të, në atë të 19-të, të 14-të dhe duke e mbyllur përfundimisht këtë zbritje në vendin e 19-të, me kohën 55 sekonda e 61 të qindrat, 2 sekonda e 70 të qindtat më ngadalë se vendi i parë, që mbahej nga legjendarja amerikane, Mikaela Shifrin.
Kjo renditje brenda 20-shes së parë i ka dhënë zemër sportistes 17-vjeçare, e cila ka qenë mjaft agresive në zbritjen e dytë, por duket se ky agresivitet i ka kushtuar, sepse ka bërë një gabim në sektorin e fundit, duke dalë nga gara. Në fakt, midis 3 sektorëve të parë të kësaj zbritjeje, ajo është luhatur nga vendi i 10-të, në atë të 9-të, duke zbritur në atë të 25-të, përpara se të mos kalonte dot në portën e duhur, duke e mbyllur garën.