AlbanianSport.com 06.06.2016 20:25
ASNN – Ndërkohë që Kombëtarja përgatitet të marrë pjesë, për herë të parë, në një Kampionat Evropian, një lajm i keq ka ardhur nga UEFA për futbollin shqiptar të klubeve. Ndonëse nuk është ende zyrtare, për shkak të akuzave për trukim, mësohet se Skënderbeu nuk do të marrë pjesë për një vit në Kupat e Evropës. Është ky vendimi që UEFA ka marrë dhe ia ka komunikuar klubit korçar, në pritje për ta bërë zyrtare nga ana e organizmit që qeveris futbollin kontinental.
Ndonëse nuk është ende zyrtare, mësohet se Skënderbeu nuk do të marrë pjesë për një vit në Kupat e Evropës. “Po, jemi dënuar për mospjesëmarrje. Tani jemi duke bërë letrat për në Gjykatën e Arbitrazhit Sport (KAS), sepse koha është e shkurtër”, – ka konfirmuar presidenti i klubit korçar, Ardian Takaj. Ndërkohë, klubi korçar ka reaguar nëpërmjet një komunikate për shtyp.
“UEFA pezullon padrejtësisht Skënderbeun nga Evropa për sezonin 2016-2017, – thuhet në të. – Ka mbërritur sot në zyrat e klubit KF Skënderbeu, vendim i UEFA-s i cili ka pezulluar padrejtësisht ekipin e Skënderbeut për një sezon (2016 -2017) nga Kupat e Evropës. Njoftojmë se, pavarsisht këtij vendimi, aspak te drejtë, aspak te provuar dhe argumentuar, të marrë në dëmin e klubit tonë, që ky vendim do të kundërshtohet në instancat më të larta.”
“Jemi të sigurt që e drejta e mohuar në UEFA, do të fitohet në KAS nga klubi ynë. Bëjmë me dije se ka nisur menjëherë përgatitja e dokumentacionit nga grupi i specializuar i avokatëve për ta paraqitur mbrojtjen e “KF Skënderbeu” në Gjykatën e Arbitrazhit në Lozanë”, – thuhet ndër të tjera në komunikate për shtyp të klubit 6 herë radhazi “kampion” i Shqipërisë.