AlbanianSport.com 22/01/2019 21:10
ASNN – Ndërkaq, në takimin tjetër të pasdrekes, të vlefshëm për turin e 16-shes së Kupës së Shqipërisë, edhe Skënderbeu nuk ka gabuar përballë Besëlidhjes vendase, duke marrë një fitore 2-1 në Lezhë. Ndryshe nga rivalja kryeqytetase dhe kryesuesja e renditjes, Partizani, me të cilën përballet pas pak ditësh në kuadër të javës së parë të fazës së 3-të të Kategorisë Superiore, Skënderbeu është kursyer në Lezhë.
Por ka marrë një fitore minimale që sidoqoftë i mjafton për ta bërë më komode ndeshjen e kthimit të turit të 16-shes së Kupës së Shqipërisë pas dy javësh në Korçë. Skuadra e trajnerit Orges Shehi ka mposhtur Besëlidhjen me rezultatin 2-1, ku, edhe pse u luajt në një terren tepër të rënduar, korçarët arriti të mposhte lezhjanët duke hedhur një hap drejt çerekfinaleve.
Në fakt, takimi ka nisur më mirë për miqtë, pasi ishte Oto Xhon ai që hapi serinë e golave në minutën e 10-të, duke kaluar të tijtë në epërsi. Pavarësisht disavantazhit, vendasit e trajnerit Gjoni nuk u dorëzuan, por reaguan dhe, në minutën e 26-të, barazuan shifrat me anë të Omar Kamarasë. Në këtë barazpeshë loje dhe golash do të mbyllen 45 minutat e para.
Ndërsa ato të dytat do të përkufizohen nga episodi i minutës së 51-të. Atëherë kur Gripshi gjeti sërish rrugën e rrjetës, duke i kaluar korçarët në epërsi. Pavarsisht përpjekjeve të shumta të të dyja skuadrave, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fundin e takimit dhe Skënderbeu merr një fitore të vyer për ndeshjen e kthimit, që do të zhvillohet pas dy javësh në qytetin e Korçës.