AlbanianSport.com 09.10.2016 15:25
ASNN – Ndonëse trajneri De Biazi asnjëherë nuk ka pranuar ta bëjë të ditur paraprakisht formacionin e ndeshjeve, trajneri italian i kuqezinjve e ka bërë të qartë se, në ndeshjen e sotme, ai do të aplikojë një skemë me karakter mbrojtës. Ndërsa Spanja zbret në “Loro Boriçi” me një skemë sulmuese.
E ka thënë si me shaka gjatë konferencës për shtyp, por De Biazi pritet të “parkojë” me të vërtetë “autobusin” përpara portës kuqezi, pasi Shqipëria pritet të zbresë në “Loro Boriçi” me skemën 4-5-1 ndaj Spanjës. Përpara Berishës në portë, De Biazi do të rreshtojë Hysajn, Gjimshitin, Mavrajn dhe Agollin.
Edhe në mesfushë, kthimi i Ledian Memushajt në qendër së bashku me Granit Xhakën dhe Andi Lilën, dëshmon për një mesfushë luftarake më tepër sesa krijuese, teksa Lenjani dhe Roshi nga krahët kanë detyrën për ta ndihmuar më tepër Bekim Balajn e vetëm në sulm.
Ndërkohë, Spanja zbret në “Loro Boriçi” me një skemë sulmuese, 4-3-3, ku para De Geas në portë do të rreshtohen Karvahal, Pike, Serxhio Ramos dhe Naço. Në mesfushë do të rreshtohet treshja Koke-Buskets-Injesta, të cilët do të ndihmojnë sulmin e përbërë gjithashtu nga 3 lojtarë, Vitolo, Morata dhe David Silva.