AlbanianSport.com 11/11/2021 20:55
ASNN – Skuadra e Shpresave të Shqipërisë në futboll është grumbulluar që prej ditës së diel në qytetin e Durrësit, ku po stërvitet intensivisht, teksa pritet që të enjten të niset drejt Sllovenisë. Siç dihet, Shqipëria e Nën-21-vjeçarëve do të zhvillojë të premten ndeshjen e dytë ndaj Sllovenisë në fushë të huaj, të vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian 2023 të kësaj grupmoshe. Në prag të kësaj sfide, në një konferencë për mediat kanë dalë dy futbollistët, Jurgen Çelhaka dhe Jorgo Pëllumbi, të cilët kanë folur në lidhje me dy ndeshjet që Shpresat do të zhvillojnë këto ditë.
Edhe Jorgo Pëllumbi thekson se ndeshja e parë e Sllovenisë ka fokusin kryesor të skuadrës së drejtuar nga Bushi dhe më tej ekipi do të nisë të mendojë për Kosovën. Sa i përket objektivave për vendin e dytë, Pëllumbi beson se mund të arrihet pasi grupi kuqezi është mjaft cilësor. “Kemi disa ditë stërvitje në Durrës, – ka thënë ai fillimisht. – E shikoj grupin shumë mirë, jemi të gjithë në formë dhe nuk kemi dëmtime. Kemi një ndeshje shumë të vështirë përpara. Pak a shumë e njohim Slloveninë pasi luajtëm para një muaji këtu dhe besoj se do të jetë akoma më e vështirë se këtu. Por besojmë dhe do shkojmë të marrim 3-pikëshin.”
Më tej, futbollisti kuqezi është pyetur për ndeshjen e dytë ndaj Kosovës. “Për momentin po studiojmë ndeshjen me Slloveninë, sepse ajo është e para dhe më e rëndësishmja hëpërhë, – është përgjigjur Pëllumbi. – Kosovën e njohim nga viti i kaluar që kemi luajtur, e dimë që është një kundërshtar i fortë. Por në fillim do të fokusohemi te ndeshja me Slloveninë, pastaj mendojmë për Kosovën.” Po sa i mundshëm është vendi i dytë në grup? “Në katër ndeshje kemi marrë 9 pikë, – thotë Pëllumbi. – Kemi bërë një fillim shumë të mirë, mundësitë janë. Kemi lojtarë shumë të mirë në grup dhe besoj se është e arritshme.”
“Por do të shohim ndeshje pas ndeshje”, – ka thënë futbollisti i Shpresave kuqezi, i cili në mbyllje ka folur edhe për ecurinë me klubin e tij dhe për synimet për të ardhmen.” Me klubin jam shumë mirë, – ka thënë ai. – Po luftojmë që të arrijmë vendin e parë që të kthehemi në ligën e parë në Kroaci. Ndërsa me Kombëtaren qëllimi është gjithmonë që të kualifikohemi.”