AlbanianSport.com 04/10/2021 20:55
ASNN – Ditën e hënë, dy futbollistët e Kombëtares kuqezi, Marsel Ismajlgeci dhe Jorgo Pëllumbi kanë dalë në një konferencë zyrtare për mediat ku kanë folur lidhur me dy sfidat që kuqezinjtë do të zhvillojnë në këtë fillim tetori. Jorgo Pëllumbi, mbrojtësi shqiptar që ka kaluar së fundmi në skuadrën e NK Varazhdini në Kroaci theksoi se skuadra është e përqendruar te ndeshja e parë ndaj Andorrës.
Ai shtoi se objektivi i Shqipërisë në grup është vendi i dytë. I pyetur se sa pikë synojmë në këto ndeshje, ai u përgjigj: “Gjithmonë duhet të jemi të kënaqur me pikët maksimale në çdo ndeshje, por duhet të fokusohemi te ndeshja e parë kundër Andorrës. Më pas do të flasim për ndeshjen kundër Sllovenisë. E njohim Andorrën, kemi luajtur 3 herë në gati një vit e gjysmë.”
“E dimë se çfarë loje luan, që rri mbrapa dhe pret, por ne jemi të fokusuar maksimalisht që të fitojmë, – ka vijuar Pëllumbi, i cili, lidhur me objektivat e skuadrës në këtë grup, ka thënë: “Të zëmë vendin e dytë në grup dhe të kualifikohemi”. Në mbyllje, ai ka folur edhe për kalimin e tij tek ekipi i NK Varazhdini. “Ndihem shumë mirë te klubi, jam përshtatur me shokët dhe me vendin, dhe do bëjmë maksimumin me skuadrën që të kthehemi në Ligën e Parë”, – ka përfunduar futbollisti kuqezi.