AlbanianSport.com 13/06/2019 15:40
ASNN – Kuqezinjtë e Alban Bushit dhe Nën-21-vjeçarët e Rafet Prekazit, dy ekipe që premtojnë për të ardhmen. Kombi shqiptar prodhon talente të shumtë dhe, edhe pse i ndarë në dy ekipe përfaqësuese, vijon të spikasë në arenën e topkëmbës kontinentale. Dëshmi e gjallë e këtij fakti është forma e shkëlqyer që po kalojnë, përveç Kombëtareve të të rriturve, edhe ato të Nën-21-vjeçarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës. Kombëtarja e të rriturve në futboll ka gjetur fitoren e parë nën drejtimin e trajnerit Reja pas dy ndeshjeve ku ka ndryshuar shumëçka, por, ndoshta jo me aq bujë, një tjetër Kombëtare kuqezi, ajo e Nën-21-vjeçarëve po spikat me paraqitjen e saj.
Skuadra e njohur ndryshe edhe “Shpresat”, vërtet po jep shpresë nën drejtimin e trajnerit Alban Bushi, teksa më 7 qershor mori një barazim 2-2 në Turqi me bashkëmoshatarët vendas. Në fakt edhe në ndeshjen e marsit në shtëpi, kuqezinjtë e vegjël ishin të pafat në atë humbje 1-2 me turqit, po edhe në atë barazim 2-2 në Andorrë në fund të marsit. Pika e marrë në Turqi pas një goli të shënuar në fund nga Emiliano Bullari, ishte një pikë karakteri e skuadrës kuqezi, një pikë që e mban atë në kuotën e 2 pikëve, 2 më pak sesa Turqia dhe 4 më pak se Kosova kryesuese.
Vetëm 48 orë pas Turqisë, skuadra e Bushit vijoi të mundë 2-1 Nën-21-vjeçarët e Uellsit në miqësore e parë të luajtur në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet, ndërsa të martën Shpresat kanë vijuar ta përsëritin triumfin ndaj britanikëve në miqësoren e dytë. Madje ndeshja e zhvilluar në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit ka qenë edhe më bindëse teksa kuqezinjtë e vegjël kanë fituar me rezultatin 3-1. Pjesa e parë e ndeshjes është mbyllur me rezultatin 2-0, ku golat për kuqezinjtë i kanë shënuar Bullari në minutën e 8-të dhe Mala në minutën e 15-të. Pjesa e dytë ka folur sërish për Kombëtaren kuqezi, ku sulmuesi i ri Armando Broja ka shënuar në minutën e 69-të.
Golin e vetëm Uellsi e ka shënuar në minutën e e parë shtesë të ndeshjes, nga pika a bardhë e 11-metërshit. Ndërkaq, ashtu sikundër për të rriturit, edhe për Nën-21-vjeçarët e përfaqësueses tjetër shqiptare, asaj të Kosovës, po fryjnë erëra të mbara. Të gjendur në të njëjtin grup me Shqipërinë, Nën-21-vjeçarët e Kosovës i kanë fituar të dy takimet e para, 4-0 ndaj Andorrës dhe 2-1 ndaj Turqisë, duke marrë kreun e grupit me pikë të plota, 6, ndërsa duhet theksuar se kanë luajtur vetëm dy ndeshje, përkundër 3 ndeshjeve që kanë luajtur kuqezinjtë dhe turqit.
Me pak fjalë, e gjithë kjo ka dëshmuar se kombi shqiptar prodhon talente të shumtë dhe, edhe pse i ndarë në dy ekipe përfaqësuese, vijon të spikasë në arenën e topkëmbës kontinentale.