AlbanianSport.com 04/10/2021 16:25
ASNN – Shqipëria e Nën-21-vjeçarëve ka nisur grumbullimin zyrtar që prej ditës së diel për dy ndeshjet ndaj Andorrës dhe Sllovenisë, të vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian 2023 të kësaj grupmoshe. Të dyja sfidat do të zhvillohen në Stadiumin “Elbasan Arena”, ku fillimisht kuqezinjtë do të luajnë ndaj Andorrës më 7 tetor ndërsa katër ditë më vonë ndaj Sllovenisë.
Ditën e hënë, dy futbollistët e Kombëtares kuqezi, Marsel Ismajlgeci dhe Jorgo Pëllumbi kanë dalë në një konferencë zyrtare për mediat ku kanë folur lidhur me dy sfidat që kuqezinjtë do të zhvillojnë. Ismajlgeci, mbrojtësi shqiptar që luan në radhët e ekipit të Tiranës u shpreh se skuadra do të japë maksimumin në këto dy ndeshje, por fokusi kryesor është ndeshja ndaj Andorrës.
Gjithashtu, ai foli edhe për objektivat e Kombëtares në grup dhe synimet për të ardhmen. I pyetur për objektivat e skuadrës në këto dy ndeshje, ai tha: “Të japim gjithmonë më të mirën dhe të marrim tre pikëshin në çdo ndeshje, por si fillim duhet të japim maksimumin me Andorrën dhe pastaj në ndeshjen me Slloveninë. Ne e dimë që ata janë një skuadër e fortë.”
“Një skuadër që rrinë mbrapa, nuk sulmojnë, vetëm presin që të bëjmë ne gabim dhe të kundërsulmojnë, – ka vijuar ai. – Por ne do japim maksimumin dhe do të fitojmë. Objektivi ynë në grup është të dalim në vend të dytë dhe të kapim zonën elitë të Evropianit dhe të japim maksimumin. Lidhur me të ardhmen e tij, Ismajlgeci tha: “Tirana është klubi ku jam rritur dhe ndihem shumë mirë. Synimet janë gjithmonë që të dalim “kampion” dhe pse jo, për një transferim jashtë Shqipërisë.”