AlbanianSport.com 05/11/2021 16:25
ASNN – Trajneri i Kombëtares shqiptare të Nën-21-vjeçarëve në futboll, Alban Bushi, ka dalë të premten paradreke në një konferencë për shtyp në kryeqytet, në prag të dy ndeshjeve eliminatore të “EURO 2023”, ndaj Sllovenisë dhe Kosovës, përkatësisht më 12 dhe 16 nëntor 2021. Pasi ka publikuar listën e 23 futbollistëve të grumbulluar, trajneri i Shpresave të Shqipërisë ka folur për pritshmëritë që ka për këto dy sfida, teksa vendosi theksin te ndeshja e parë ndaj Sllovenisë, duke e konsideruar si shumë të rëndësishme.
“Objektivi ynë është vendi i dytë, por ekipet e tjera në letër janë më të forta, – ka thënë ai fillimisht. – Në letër ne jemi ekipi i katërt së bashku me Kosovën. Kemi lojtarë shumë cilësorë. Por në momentin që kemi mungesa, kemi probleme për të arritur atë që kemi thënë. Kur kemi gjithë grupin, mendoj që do të bëjmë shumë mirë. Nuk mund të kemi objektiva si Franca e Anglia. Objektivi ynë i parë është dërgimi i lojtarëve tek ekipi i parë. Ne po marrim edhe rezultate. Me Slloveninë është ndeshja më e rëndësishme. Po fituam atje do të flasim ndryshe.”
“Po sakrifikuam mund t’ia dalim të fitojmë, – ka theksuar trajneri kuqezi. – Unë kam besim se mund t’ia dalim. Fillimi i mirë është gjysma e punës. Edhe Andorra është e fortë, nuk ka qenë e lehtë, pavarësisht se kemi fituar dy herë. Kanë barazuar me Anglinë, kanë mundur Turqinë. Ne gjithashtu kemi hallet tona. Këto fitore i bëjnë mirë këto fitore, e rrisin grupin dhe optimizmin. Duhet ta mendojmë që duhet të japim 200% për të fituar kundër Sllovenisë. Po ecëm me këtë mendim do të jemi shumë të suksesshëm.”
“Suksesi më i madh do jetë që të kalojnë 4-5 lojtarë në ekipin A, që e kanë cilësitë të bëhen pjesë e kombëtares së të rriturve”, – ka shtuar trajneri kuqezi, i cilu është pyetur edhe nëse këto i shikon si dy ndeshjet më të rëndëishme të grupit. “Çdo ndeshje është e rëndësishme për ne, për lojtarët, – ka thënë ai. – Kur vesh fanellën e Shqipërisë është e rëndësishme, edhe të stërvitesh e jo më të luash. Ka ndeshje prapë, nuk janë vetëm këto të dyja. Janë edhe 4 ndeshje të tjera më pas. Do jemi në lojë, pasi të gjitha ekipet janë të forta dhe do marrin pikë njëra-tjetrës.”
“Objektivi është ndeshja e parë me Slloveninë, – ka përsëritur Bushi. – Nëse fitojmë kemi shumë shanse për vendin e dytë. Në mars, Shqipëria e të rriturve është pushim dhe mund të marrim edhe lojtarë si Kumbulla e Broja.” Po, a do të ketë skuadra e Shpresave ndryshime në formacion? “Do të fusim lojtarët që janë më mirë në formë dhe mendoj që grupi më i madh do të jetë ai që ka luajtur me Slloveninë. Mund të kemi disa ndryshime të vogla, por edhe mund të mos kemi”, – ka përfunduar trajneri i Kombëtares shqiptare të Nën-21-vjeçarëve në futboll, Alban Bushi.
Ekipi i Nën-21-vjeçarëve kuqezi, i drejtuar nga trajneri shqiptar do të nisë grumbullimin më 7 nëntor 2021 në Durrës.