AlbanianSport.com 29/08/2021 16:25
ASNN – Shqipëria e Nën-21-vjeҫarëve ka filluar ditën e diel grumbullimin për ndeshjen zyrtare eliminatoren ndaj Republikës Çeke, e vlefshme për Kampionatin Evropian 2023 të kësaj grupmoshe dhe që do të luhet në fushë të huaj, më 6 shtator 2021. Trajneri Bushi ka dalë përpara mediave për të folur në lidhje me listën e lojtarëve dhe pritshmëritë për ndeshjen që skuadra do të luajë ndaj moshatarëve çekë, ku ka folur për grupin, mungesat që ka në këtë ndeshje dhe kundërshtarin që ka përballë. Në lidhje me mungesat për këtë ndeshje duhet të them që na dëmtojnë shumë.
“Sepse unë e kisha programuar dhe stërvitjen e ndeshjen pak a shumë me lojtarë si Bullari, Tuci, Marvin Çuni, – ka thënë ai fillimisht. – Dje u dëmtua Kristjan Asllani dhe Anxhelo Ndreçka, që janë në listë. Do të kemi shumë mungesa por lojtarët që do të vijnë, do të bëjnë mirë. Janë lojtarë cilësorë që ne i kemi patur në vëzhgim në vitet e kaluara. Do të bëjmë një ndeshje të mirë ndaj Republikës Çeki dhe unë pres shumë nga këto lojtarë që janë në listë. Është një mundësi që i jepet dhe do duhet ta justifikojnë. Duhet të mos harrojmë që është ndeshje futbolli, e rëndësishme është që lojtarët të japin maksimumin.
“Të zbresin me pasion dhe sakrificë në fushë e të vlerësojnë fanellën e Kombëtares”, – ka shtuar Bushi. Përtej mungesave, alternativat cilësore nuk mungojnë në prurjet e reja gjë të cilën e nënvizon edhe vetë trajneri. “Nga mungesat që kemi pasur, jemi detyruar të marrim lojtarë në moshë të vogël dhe cilësorë, – ka pohuar ai. – Toci, për shembull, është 3 vjet më i vogël në moshë, apo dhe Nikqi, që është 4 vjet më i vogël se ata që do të ketë përballë, por janë lojtarë shumë të fortë, të perspektivës. Mbase nuk mund ta përballojnë këtë kundërshtar 100% por vlen e ardhmja e tyre, sepse ne jemi këtu për të kontribuar sa më shumë për ekipin kombëtar të të rriturve.”
“Por edhe për të marrë rezultate të cilat nuk na kanë munguar kohët e fundit”, – ka shtuar ai. Po çfarë kundërshtari pret Bushi tp kemi përballë? “Për të thënë të vërtetën, Republikën Çeke e njohim pak, – ka thënë ish-futbollisti i njohur. – Me datëlindjen 1998 kanë qenë në Evropian. Kam parë stilin e tyre të lojës por ajo mund të ndryshojë, sepse ata përpara një muaji kanë emëruar trajner të përfaqësueses së Nën-21-vjeçarëve trajnerin që kanë pasur tek Nën-19-vjeçarët. Kam parë lojërat e tij, luan një 4-4-1-1. Në këtë moment duke mos e njohur mirë është herët për të folur, por, më datë 2 shtator, ata kanë një ndeshje kundër Sllovenisë.”
“Të cilën ne do ta analizojmë mirë dhe mbi bazë të asaj ndeshjeje ne do të përgatisim ndeshjen taktikisht në ato 4 ditë, – ka vijuar trajneri kuqezi. – Republika Çeke është një ekip cilësor, nuk ka nevojë për komente sepse është në rangun e Gjermanisë e Holandës për moshat, shumë i fortë, por, edhe ne jemi shumë të fortë. Kemi treguar se pavarësisht mungesave kemi marrë rezultate shumë të mira kohët e fundit. Eliminatoret i kemi nisur mbarë me një fitore në një fushë të vështirë si ajo e Andorrës ku kemi fituar 3-0. Kjo na jep besim që të vazhdojmë kështu edhe në Republikën Çeke.”
Trajneri Bushi është pyetur në veҫanti për repartin sulmues, ku mungojnë të gjithë lojtarët e ndeshjeve të fundit dhe elementët e kampionatit shqiptar nuk janë ende në aktivitet. “Na shqetëson problemi i mungesës së aktivitetit, por mendoj se do të bëjnë mirë, – ka pohuar ai. – Në Republikën Çeke kampionati është në javën e 8-të, këtu ende nuk ka filluar. Nuk kam informacion të plotë për gjendjen fizike të lojtarëve edhe se i kam ndjekur në ndeshjet stërvitore që kanë luajtur. Kjo ndeshje do shpirt, do zemër, do pasion, do sakrificë për njëri-tjetrin, sakrificë për bluzën, dhe mendoj se mund t’ja dalësh në një ndeshje të vetme.”
“Edhe përtej minutave të pakta që mund të kenë lojtarët. Do të vëmë shpirtin dhe zemrën përpara dhe do të luajmë. Elementët që kanë kaluar në Kombëtaren e të rriturve edhe pse nuk aktivizohen, janë të rëndësishëm atje. Unë kam bërë diskutime edhe me trajnerin Reja. Janë ҫështje komplekse se janë shumë ndeshje dhe trajnerit i nevojiten edhe për stërvitje dhe dublimin e pozicioneve”, – ka përfunduar trajneri i Shpresave të Shqipërisë, Alban Bushi.