AlbanianSport.com 02/08/2018 08:50
ASNN – Ndërkohë që Kukësi shpresonte të mbërrinte në turin e 3-të eliminator të Ligës së Kampioneve, një tjetër skuadër shqiptare, Shkëndija e Tetovës, e ka bërë të martën në mbrëmje një gjë të tillë. Skuadra e shqiptarëve të Maqedonisë ka trimfuar në duelin me moldavët e Sherifit të Tiraspolit, duke i shtuar arkës së klubit edhe 1.7 milionë euro të ardhura.
Shkëndija e Tetovës vazhdon të bëjë një paraqitje të shkëlqyer në veprimtaritë evropiane dhe skuadra e shqiptarëve të Maqedonisë ka shkruar të martën në mbrëmje një tjetër kapitull të suksesshëm në historinë e saj. Kuqezinjtë tetovarë kanë trimfuar në duelin me moldavët e Sherifit të Tiraspolit, duke u kualifikuar me rezultatin e përgjithshëm 1-0.
Goli i shënuar në pjesën e parë të sfidës së para një jave në Maqedoni, nga Besart Ibraimi, i ka mjaftuar Shkëndijës për të marrë një fitore minimale në atë sfidë dhe skuadra e drejtuar nga trajneri Qatip Osmani ia ka dalë ta mbrojë këtë fitore edhe në ndeshjen e kthimit. Pavarsisht një dominimi të lojës nga skuadra vendase, tetovarët nuk e kanë lejuar prekjen e rrjetës së tyre përgjatë 95 minutave të lojës në Moldavi, duke marrë një barazim të bardhë që i kualifikon për më tej.
Megjithatë, tanimë sfida është e vështirë, pasi, në turin e 3-të eliminator, Shkëndija e Tetovës do të përballet me Salcburgun. Ndeshja e parë do të luhet në Austri, më datë 7 gusht 2018, ndërsa e dyta në Maqedoni, një javë më pas. Por, ajo që duhet shtuar është se ky kualifikim jo vetëm që ishte arritje historike për kuqezinjtë e Tetovës, por edhe një rritje e ndjeshme e buxhetit të klubit.
Sepse, nëse bëhen llogaritë, nga turi i parë i Ligës së Kampioneve, tek i dyti dhe i treti, por edhe në rast eliminimi edhe në “play-off”-in e Ligës së Evropës, pra, edhe duke mos arritur të shkojë në grupe, arka e kuqezinjve do të pasurohet mjaftueshëm. Pra, që sot mund të themi se Shkëndija e Tetovës ka fituar minimalisht 1,7 milionë euro. Turi i parë ka sjellë 280 mijë euro, i dyti 380 mijë euro të tjera, ndërsa i treti 480 mijë euro.
Në “play-off”-in e Ligës së Evropës fiton edhe 300 mijë euro të tjera, ndërsa si solidaritet, në rast se nuk arrin të shkojë në grupet e kësaj veprimtarie, UEFA i dhuron edhe 260 mijë euro të tjera.