AlbanianSport.com 17.09.2016 13:10
ASNN – Kategoria Superiore luan sot ndeshjet e para të javës së tretë. Luftëtari-Korabi, Tirana-Kukësi dhe Skënderbeu-Laçi janë ndeshjet e ditës së sotme. Televizioni Shqiptar do të përcjellë për të gjithë teleshikuesit drejtpërdrejt, emocionet e ndeshjes që do të luhet në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet, atë të orës 17.00 Tirana-Kukësi. Por në orën 19.00, drejtpërdrejt, televizioni shqiptar do të transmetojë edhe ndeshjen e basketbollit Shqipëri-Sllovaki, e vlefshme për fazën eliminatore të Eurobasket.
Me ndeshjet Luftëtari-Korabi, që nis në orën 14:00, dhe Tirana-Kukësi e Skënderbeu-Laçi, që nisin në orën 17:00, ngre siparin java e 3-të e Kategorisë Superiore. Pas dy ndeshjeve të para, si Luftëtari dhe Korabi kërkojnë fitoren e parë në këtë kampionat. Ndërsa Skënderbeu ndaj Laçit kërkon tri pikët për të ruajtur kreun e renditjes. Ndërkaq, në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet, Tirana pret Kukësin e vendit të dytë. Një ndeshje me rivalitet që pritet të dhurojë emocione tek të gjithë sportdashësit.
Televizioni shqiptar do të përcjellë drejtpërdrejt emocionet e kësaj sfide duke filluar nga ora 17:00. Por jo vetëm kaq. Nëpërmjet valëve të Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 19:00, të gjithë apasionuarit e basketbollit do të ndjekin, ndeshjen Shqipëri-Sllovaki, e vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian. Kombëtarja jonë e basketbollit i ka humbur të 5 ndeshjet e para, të luajtura deri tani. Në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet të gjithë presin sonte fitoren e parë të kuqezinjve të koshit.