AlbanianSport.com 28.02.2017 19:35
ASNN – Kampionët në fuqi të e Anglisë, rikthehen te fitorja, pasi Leister Siti ka mundur Liverpulin 3-1, duke shfaqur në fushë atë mënyrë loje sikur fitoi titullin “kampion”, sezonin e kaluar. Pa praninë e trajnerit Klaudio Ranieri në stol, “Dhelprat” fitojnë, por edhe Vardi rikthehet te goli. Në fakt, nëse shikon ndeshjen Leister Siti-Liverpul, atëherë mund të besosh me të vërtetë në teoritë se në futboll ekziston termi “komplot”.
Pas 5 humbjeve radhazi por edhe 0 golave të shënuar, në ndeshjen e parë pa praninë e Kaludio Ranierit në stol, Leister rikthehet të luajë futbollin si një skuadër kompakte, ashtu siç ishte në sezonin e kaluar. Por falë edhe një Liverpuli të pamotivuar, “Dhelprat” arrijnë të marrin 3 pikët e rëndësishme, të cilat mund të ndikojnë në mbijetesën në Premier Ligën Angleze, sepse tashmë ndodhen në kuotën e 24 pikëve.
Tifozët edhe njëherë kanë qenë në mbështetje të trajnerit Ranieri duke vendosur maskat me fytyrën e tij në Stadiumin “King Pauer”. Ndërsa një makinë funerali me kurora dhe mbishkrimin “Futbolli Vdiq” kaloi përpara stadiumit. Brenda stadiumit ka patur edhe dhjetëra banderola pro trajnerit që shkori historinë vetëm 8 muaj më parë.
Me përjashtim të Kantesë, tashmë lojtar i Çellsit, Leister Siti prezantohet në fushë me formacionin dhe modulin me të cilin fitoi titullin “kampion” të Anglisë në sezonin e kaluar. “Dhelprat” shfaqin në fushë që nga minuta e parë lojën e tyre me mendësi fituesi, ashtu si në sezonin e kaluar. Ndërkohë që Liverpuli ishte thuajse inekzistent në fushë. Vardi rikthehet te goli, duke lënë pas dy qendërmbrojtësit kundërshtarë.
Ky është edhe goli i parë për Leister Sitin në vitin 2017. Më pas është Drinkuotër që shënon duke e mbyllur pjesën e parë 2-0. Edhe në të dytën, çdo gjë shkon sipas planeve të Leister Sitit. Eshtë sërish Vardi që shënon golin e tretë për skuadrën e tij dhe të dytin personal. Më pas është Kutinjo që shkurton diferencën për Liverpulin. Pas kësaj fitoreje të kënaqur kanë mbetur edhe pronarët tajlandezë të Leister Sitit, të cilët ishin të pranishëm në tribunë.