AlbanianSport.com 03/12/2018 18:50
ASNN – Ndonëse një sport relativisht i ri dhe ende i papërhapur në një shkallë të konsiderueshme, regbija shqiptare po bën hapa përpara dhe, për të dytin sezon radhazi, ajo do të jetë pjesëmarrëse në veprimtaritë rajonale. Bëhet fjalë për Superligën Ballkanike të Regbi Ligës, që është në fakt një variacion i regbisë klasike, i cili po gjen një përhapje gjithnjë e më të madhe, për shkak se është më i thjeshtë në rregulla dhe luhet me më pak lojtarë.
Dhe Klubi i Regbisë Tirana do të marrë pjesë për të dytin sezon radhazi në Superligën Ballkanike, gjë që është konfirmuar edhe nga organizmi që qeveris këtë sport në rajon. Sipas informacionit që ka përcjellë zyrtarisht kjo ligë, në këtë edicion kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre 11 skuadra nga 7 vende të Ballkanit. Kjo përfaqëson një ulje të numrit të pjesëmarrësve krahasuar me një vit më parë, kur ishin 15 klube të ndarë në 5 grupe.
Por, njëkohësisht, edhe një zgjerim të gjeografisë, nga 6, në 7 vende pjesëmarrëse. Tirana i humbi të dyja ndeshjet sezonin e shkuar, kur u përball me Radniçkin e Nishit në Serbi, por vjen në këtë edicion të dytë me më tepër përvojë dhe me një organizimi më të mirë, duke synuar njëkohësisht edhe një paraqitje më të mirë në fushën e lojës. Ende nuk janë përcaktuar grupet e Superligës Ballkanike të Regbi Ligës, dhe as data kur do të luhen ndeshjet.