AlbanianSport.com 07/01/2019 18:55
ASNN – Ndonëse një sport i ri, regbija shqiptare po merr gjithnjë e më tepër ekspozim, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Më së fundmi është revista e njohur botërore, “Regbi League World” ajo që i ka kushtuar një shkrim të posaçëm ecurisë së këtij sporti në Shqipëri.
Në shkrimin e titulluar “Tirana Calling”, ose “Tirana thërret”, revista në fjalë thekson se disiplina e Regbi Ligës, e cila është paksa më e thjeshtuar sesa ajo klasike, po gjen shtrirje gjithnjë e më të madhe në Ballkan dhe për të 3-tin sezon radhazi është zhvilluar edhe Superliga rajonale, ku, për të dytin vit, ka marrë pjesë edhe Klubi i Tiranës si përfaqësuese e Shqipërisë.
Më tej, shkrimi veçon faktin se Shqipëria është pranuar anëtare me statusin e vëzhgueses në Federatën Evropiane të Regbi Ligës dhe për drejtuesit e këtij sporti në vend, ky është një hap i madh përpara. Sipas Arnaldo Telos, njëri prej personave më të përkushtuar në nisjen dhe rritjen e këtij sporti në Shqipëri, pjesëmarrja në veprimtaritë ballkanike ka ndikuar pozitivisht në pasurimin e përvojës për lojtarët vendas, ndërsa është rritur edhe interesimi i shqiptarëve për këtë sport.
Sipas tij, pranimi si anëtare me statusin e vëzhgueses në Federatën Evropiane të Regbi Ligës sjell edhe përfitime të tjera të prekshme. Për Telon, e rëndësishme është ndritja e një kampionati kombëtar, çka do të hapte edhe dyert për një masivizim të mëtejshëm të këtij sporti në Shqipëri.