AlbanianSport.com 17.05.2016 17:55
ASNN – Elbasani, dëshmitari i ndeshjeve eliminatore të Evropianit për kombëtaren e futbollit, ka pritur një sfidë të re sportive. Tirana dhe Iliria kanë luajtur ndeshjen e parë të regbisë në vend, e organizuar nga OSBE-ja dhe Bashkia e Elbasanit.
Për herë të parë në Shqipëri është luajtur një sfidë midis dy skuadrave të Klubit të Regbisë së kryeqytetit, Tirana-Ilirët e cila u fitua nga regbistët e Ilirisë me rezultatin e pastër 12-0.
Përshtatur me projektin e OSBE-së “Angazhimi i qytetarëve”, ky organizëm dhe bashkia e Elbasanit kanë qenë nismëtarë për zhvillimin e kësaj ndeshje regbie, ka sqaruar Adrian Nesel, shefi i Departamentit të Bashkëpunimit për Çështjet e Sigurisë në Pranisë së OSBE-së në Shqipëri.
“Kjo ndeshje është pjesë e një projekti të OSBE në Shqipëri, që ka të bëjë me angazhimin e qytetarëve, – ka sqaruar ai. – Një nismë që përfshin bashkëpunimin me të gjitha institucionet me fokusin kryesor, punën në komunitet.”
“Më pëlqen fakti që këta sportistë luajnë me dëshirë dhe pasion, e me lojën e tyre kanë sjellë mjaft tifozë në stadium”, – ka shtuar Neseli. Tani janë vetëm dy skuadra regbie nga Tirana, por shumë shpejt do të formohen të tjera në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
E më pas do të krijohet edhe Federata e Regbisë, që do të ketë edhe kampionatin e saj.