AlbanianSport.com 25.07.2017 13:25
ASNN – Kukësi u shpall “kampion” sezonin e shkuar, për herë të parë në histori, duke fituar njëkohësisht edhe Superkupën e Shqipërisë. Jo vetëm kaq, por përgjatë gjithë sezonit, si në kampionat, ashtu edhe në Kupë, por edhe në dy sfidat eliminatore të Ligës së Kampioneve, Kukësi i Gjokës, pësoi vetëm 3 humbje. Por as kjo duket se nuk ka mjaftuar për t’i siguruar trajnerit Ernest Gjoka rinovimin e kontratës, duke rikthyer debatin mbi masën dhe kriteret e gjykimit të suksesit.
“Suksesi ha të parët bijtë e vet”. Kjo shprehje e ardhur ndër shekuj gjen zbatim më së miri në futbollin shqiptar, ku duket se asnjë lloj arritjeje nuk mjafton për të siguruar vazhdimësinë. I tillë është rasti i Ernest Gjokës, trajnerit 47-vjeçar që e udhëhoqi Kukësin drejt të parit titull “kampion”, në një sezon ku verilindorët e udhëhequr prej tij i shtuan edhe trofeun e Supekupës asaj të Kupës së Shqipërisë të fituar vjet me Klodian Duron në stol.
Ajo që e bën më mbresëlënës arritjen e trajnerit është se, në një sezon të karakterizuar nga rivaliteti me Skënderbeun dhe Partizanin, skuadra e Gjokës triumfoi në mënyrën më të mirë të mundshme. Kukësi u shpall “kampion” një javë para fundit, duke triumfuar në një ndeshje të karakterizuar nga nervozizmi i madh, ndaj Skënderbeut dhe deri në këtë kurorëzim, verilindorët nuk kishin pësuar asnjë humbje në 35 javë kampionat, duke korrur 20 fitore dhe duke marrë 15 barazime.
Për më tepër, skuadra e Gjokës shënoi 51 gola në 36 javë kampionat, më shumë se çdo skuadër tjetër dhe pësoi 18, një më tepër sesa mbrojtja më e mirë, ajo e Partizanit, me një golaverazh pozitiv prej +33, që ishte bindshëm më i miri i Kategorisë Superiore. Jo vetëm kaq, por përgjatë gjithë sezonit, si në kampionat, ashtu edhe në Kupë, por edhe në dy sfidat eliminatore të Ligës së Kampioneve, Kukësi i Gjokës, pësoi vetëm 3 humbje.
Atë në kampionat në javën e fundit në Gjirokastër përballë Luftëtarit, që sidoqoftë nuk kishte asnjë vlerë, atë në Kupë në çerekfinale ndaj Tiranës, dhe atë në Moldavi përballë Sherifit të Tiraspolit, ku verilindorët u eliminuan vetëm nga goli i pësuar në fushën e vet. Por, pavarsisht gjithë kësaj, duket se as kjo nuk do të mjaftojë për t’i rinovuar kontratën një trajneri të konfirmuar kampion dhe fitues, sepse në Shqipëri, ata që janë në pozicion të gjykojnë, kanë kriteret dhe standardet e tyre, që i dinë dhe i kuptojnë vetëm ata.