AlbanianSport.com 09/11/2020 19:55
ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, është vlerësuar ditën e hënë me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Sporteve i Tiranës. Ky titull i është dhënë kreut të qeverisë së futbollit shqiptar me motivacionin “Për kontributin e çmuar në promovimin e modeleve dhe praktikave në të mira në fushën e sportit dhe në veçanti të futbollit në Shqipëri”.
Në hapje te ceremonisë Rektori i Universitetit të Tiranës, z.Agron Kasa mbajti një fjalë përshëndetëse ku vlerësoi presidentin Duka për punën e çmuar që ka bërë për zhvillimin e sportit shqiptar, kryesisht në fushën e futbollit. Më pas, ishte anëtari i Senatit Akademik, z. Arben Kaçurri, i cili para të pranishmëve dha rekomandimet në lidhje me dhënien e titullit Doctor Honoris Causa”, Armand Dukës.
Në fjalën e tij, Presidenti i FSHF-së, falënderoi Universitetin e Sporteve të Tiranës për vlerësimin dhe theksoi se ndihej mjaft i nderuar për marrjen e këtij titulli. Në ceremoninë e organizuar nga Universiteti i Sporteve i Tiranës ishin të pranishëm Ambasadori i Hungarisë në Shqipëri, Sh.t.z., Lóránt Balla, Rektori i Universitetit të Sporteve të Tiranës, anëtarë të Senatit Akademik të UST-së.
Po kështu ishte edhe Zv/Ministri i Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Rektorë dhe Profesorë të Universitetit të Tiranës, anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, presidentët e klubeve të kampionatit të Kategorisë Superiore, trajneri i ekipit kombëtar, Edoardo Reja, ish-futbollistë të njohur dhe ish-trajnerë shqiptarë.