AlbanianSport.com 17.02.2017 16:15
ASNN – Java e 16-të e Kategorisë së Parë ka nisur me ndeshjen e grupit B, Dinamo-Pogradeci. Miqtë shënojnë që në fillim të takimit me anë të Shkulakut. Të mbetur me 10 lojtarë, pas daljes me karton të kuq të Brahjes, dinamovitët nuk kanë forca për të shënuar. Pas kësaj fitoreje skuadra e Pogradecit ngjitet në kuotën e 23 pikëve, ndërsa Dinamo mbetet me 17 pikë.
Kështu, Pogradeci merr një 3 pikësh të vlefshëm në Tiranë. Në sfidën e luajtur ndaj Dinamos vendase në Kompleksin Sportiv “Internacional” në Pezë-Helmës, skuadrës pogradecare i ka mjaftuar një gol i realizuar nga Shkulaku që në minutën e parë të takimit, për të siguruar fitoren. Pas një sulmi të shpejtë, futbollisti i Pogradecit arriti që, brenda zonës, me një gjuajtje tokazi me të majtën mposht portierin dinamovit.
Në fakt, kjo ndeshje vetëm këtë rast ka patur më emocionuesin. Sepse, pas golit, të dy portierët përkatës kanë qenë në rolin e spektatorit. Në të 4-tën, është Dinamo që rrezikon. Më pas, në minutën e 21-të, blutë e kryeqytetit mbesin me 10 lojtarë. Një ndërhyrje e rëndë e Julian Brahjes në dëm të një lojtari afrikan të pogradecarëve dhe gjyqtari kryesor e ndëshkon me karton të kuq.
Pjesa e parë nuk ka më raste për të shënuar. Me fillimin e 45 minutave të dyta, provon Dinamo me Allmuçën. Por portieri pogradecar pret në pozicion. Në të 55-ën minutë, është Pogradeci që rrezikon sërish me Topllarin. Por, topin e goditur prej tij, portieri e dërgon në goditje këndi. Pas kësaj fitoreje, skuadra e Pogradecit ngjitet në kuotën e 23 pikëve, në grupin B, ndërsa Dinamo mbetet me 17 pikë.