AlbanianSport.com 17/01/2020 21:40
ASNN – Spikat Evropiani i prillit në Moskë dhe Olimpiada e Tokios në gusht. Peshëngritja shqiptare, e cila e nis vitin 2020 me dy synime madhore, Evropianin dhe Lojërat Olimpike, ka shpallur së fundmi edhe kalendarin vjetor të veprimtarive të saj kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjithçka nis më 28 shkurt 2020, me Kupën e Shqipërisë për të Të Rriturit dhe Nën-20-vjeçarët, që do të mbahet në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet dhe ku pritet një betejë e fortë midis Briken Caljes, Erkand Qerimajt, Daniel Godellit dhe Krenar Shorjes.
Ndërkohë, dy javë më pas, nga data 14-24 mars, në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht, mbahet Kampionati Botëror i Nën-20-vjeçarëve, ku pjesëmarrja e kuqezinjve është ende në diskutim për shkak të buxhetit financiar. Ndërkaq, një nga veprimtaritë madhore të 2020-ës është Evropiani i prillit, që do të mbahet në kryeqytetin e Rusisë, Moskë, aty ku Shqipëria do të shkojë, sipas gjasave, me një delegacion prej 6 sportistësh, nga të cilët 4 meshkuj dhe dy femra.
Briken Calja, Erkand Qerimaj, Daniel Godelli dhe Krenar Shorja do të synojnë të 4 podiumin, ndërsa me interes pritet kthimi në pedanë i Evangjeli Velit, por, pse jo, edhe debutimi me të rriturat e peshëngritëses së talentuar, 18-vjeçares Kleopatra Saliaj. Ky Evropian pritet të zyrtarizojë edhe Qerimajn si të kualifikuar me normë për në Lojërat Olimpike të këtij viti në Tokio, ku shkodrani do t’i bashkohet Briken Caljes në festivalin më të madh sportiv në planet, që mbahet në gusht.
Teksa maji do të jetë një muaj pushimi, qershori dhe korriku do të rikthejnë në pedanë moshat, teksa përkatësisht në Durrës do të organizohet Kupa e Shqipërisë për Nën-15 dhe Nën-17-vjeçarët, ndërsa në Elbasan ajo për Nën-20-vjeçarët. Të dy këto gara janë si prelud për Kampionatin Botëror të Nën-15 dhe Nën-17-vjeçarëve, që mbahet në gusht në Vilnius të Lituanisë, por edhe për Evropianin e Nën-20 dhe Nën-23-vjeçarëve, që mbahet në mesin e shtatorit në Finlandë.
Por, edhe në të dy këto veprimtari, pjesëmarrja e shtangistëve kuqezinj është në dyshim, për shkak të mundësive të pakta financiare që Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka këtë vit. Menjëherë pas këtyre dy veprimtarive ndërkombëtare të moshave, mbahet në fund të shtatorit në Elbasan Kampionati Kombëtar i Peshëngritjes për Nën-17-vjeçarët, që i paraprin Botërorit të kësaj grupmoshe, që mbahet në mes të nëntorit në kryeqytetin e Perusë, Lima.
Por edhe këtu, pjesëmarrja e Shqipërisë është në diskutim, për shkak të buxhetit, ndërsa veprimtaria që do të ulë siparin e 2020-ës është Kampionati Kombëtar për të Rritur, që mbahet më 20 nëntor. Viti mbyllet me Asamblenë vjetore për peshëngritjen, e cila shërben edhe si analizë e punës së bërë dhe arritjeve të këtij viti.
Klikoni videon e mëposhtme për kronikën e plotë: