AlbanianSport.com 11/02/2020 20:10
ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes synon vendin në Federatën Evropiane. Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Theodhori Masllavica është një nga 24 kandidaturat për 6 anëtarë të Bordit Ekzekutiv të Federatës Evropiane, në zgjedhjet që do të mbahen në fillimi të prillit. Ndonëse konkurrenca është e fortë për t’u bërë pjesë e organit drejtues të EWF-së, presidenti i shtangës kuqezi shkon në këto zgjedhje me pikë të fortë të kandidaturës së tij luftën kundër dopingut.
Në ditët e para të prillit pritet të mbahet Kongresi dhe Asambleja Zgjedhore e Federatës Evropiane të Peshëngritjes (EWF), pjesë e së cilës është edhe Federata Shqiptare e Peshëngritjes. Me këtë rast organizimi që qeveris shtangën kontinentale ka shpallur edhe kandidaturat për president, për zëvendëspresident, për sekretar të përgjithshëm, për anëtar të Bordit Ekzekutiv, si dhe për anëtarët e komiteteve të ndryshme.
Kandidaturat janë të shumta, por interesant është fakti që një nga 24 kandidaturat për 6 anëtarë të Bordit Ekzekutiv të Federatës Evropiane, është edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Theodhori Masllavica. Ndonëse konkurrenca është e fortë për t’u bërë pjesë e organit drejtues të EWF-së, presidenti i shtangës kuqezi shkon në këto zgjedhje me pikë të fortë të kandidaturës së tij luftën kundër dopingut.
Pas disa vitesh të turbullta të peshëngritjes shqiptare, të goditur ashpër nga rastet e njëpasnjëshme dhe të bujshme të sportistëve me doping, nën drejtimin e 48-vjeçarit, shtanga kuqezi ka përjetuar një periudhë dy-vjeçare pa asnjë rast dopingu dhe, për rrjedhojë, me medalje të pastra. Ndërkohë, për postin e Sekretarit të Përgjithshëm kandidon edhe presidenti i Federatës së Peshëngritjes së Kosovës, Astrit Hasani, i cili deri më tani ka mbajtur detyrën e sekretarit të thesarit.
Më parë Shqipëria ka qenë e përfaqësuar në Bordin Ekzekutiv të Federatës Evropiane, por edhe atë të Federatës Botërore të Peshëngritjes, nga ish-presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi. Ky i fundit ka drejtuar shtangën kuqezi për 3 mandate në fillimin e mijëvjeçarit të ri, që përkon me një nga periudhat më të suksesshme të saj në arenën ndërkombëtare.