AlbanianSport.com 19/09/2019 21:40
ASNN – 4 shtangistët, gati për veprimtarinë madhore në Tajlandë, gjithçka po vjen drejtpërdrejt në RTSH. Nga data 18, deri më 27 shtator 2019, do të zhvillohet në Tajlandë Kampionati Botëror i Peshëngritjes për të Rritur, i cili do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Pjesë e delegacionit shqiptar është edhe peshëngritësi Krenar Shoraj, i cili, duke folur posaçërisht për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, ka rrëfyer edhe pritshmëritë e tij për këtë Botëror.
Duke nisur nga data 18, deri më 27 shtator 2019, në Pataja të Tajlandës po zhvillohet Kampionati Botëror i Peshëngritjes për të Rritur, i cili po sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Shqipëria ka shkuar në Botërorin e Tajlandës me 4 sportistët e saj më në formë të momentit e më konkretisht me kampionin e shumëfishtë të Evropës, Briken Calja, me medalistin e bronztë të botës, Erkand Qerimajn.
Por edhe me dy sportistë që kanë provuar podiumin dhe medaljet në arenën ndërkombëtare, si për moshat, ashtu edhe për të rriturit, që janë Daniel Godelli dhe Krenar Shoraj. Delegacioni shqiptar është nisur të dielën pasdite drejt Tajlandës, atje ku ka mbërritur të hënën në mbrëmje dhe duke filluar që nga e marta, ka nisur procesin e aklimatizimit dhe përshtatjes së orës biologjike, por dhe atë stërvitor. Tanimë, pas 3 ditësh në vendin e Azisë Juglindore, kuqezinjtë kanë nisur stërvitjen me ngarkesë të plotë dhe, sipas burimeve zyrtare pranë delegacionit kuqezi, forma e tyre fizike është e mirë dhe po shkon drejt optimales.
Në bazë të kalendarit të shpallur për këtë Kampionat Botërir, më 21 shtator 2019, Briken Calja do të konkurrojë në kategorinë e peshës trupore deri në 73 kg. Një ditë më pas, do që ngjiten në pedanë dy shtangistët e tjerë kuqezinj, Erkand Qerimaj dhe Daniel Godelli, do të konkurrojë në kategorinë e peshës trupore deri në 81 kg, por njëri në baterinë B dhe tjetri në baterinë A. Konkurrimin kuqezi në Tajlandë do ta mbyllë Krenar Shoraj, i cili do të konkurrojë në kategorinë e peshës trupore deri në 89 kg.