AlbanianSport.com 19.08.2016 19:05
ASNN – Radio Televizioni Shqiptar dhe Federata Shqiptare e Futbollit kanë nënshkruar një kontratë 5-vjeçare, për transmetimin drejtpërdrejt të ndeshjeve të kampionatit të kategorisë së parë. Ky projekt do të marrë jetë që në këtë sezon të ri futbollistik, 2016-2017. Kështu, Radio-Televizioni Shqiptar shton gamën e transmetimeve sportive.
Për të gjithë të apasionuarit e futbollit shqiptar, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të përcjellë drejtpërdrejt edhe ndeshjet e Kategorisë së Parë në futboll. Ky projekt 5-vjeçar, është nënshkruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Radio-Televizionit Shqiptar, Thoma Gëllçi, dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
Ai do të marrë jetë që me sezonin e ri futollistik, 2016-2017. Duke folur në këtë ceremoni, Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Thoma Gëllçi e ka quajtur mjaft të rëndësishëm realizimin e këtij projekti pasi misioni i transmetuesit publik që ai drejton është masivizimi i sportit në Shqipëri.
Edhe presidenti Duka e ka quajtur mjaft të rëndësishëm realizimin e këtij projekti. Projekti për transmetimin drejtpërdrejt të ndeshjeve të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, vjen pas nënshkrimit të kontratës edhe me Federatën e Basketbollit për transmetimin e ndeshjeve të kombëtares së koshit dhe kampionatit kombëtar.