AlbanianSport.com 08.12.2016 16:10
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit luan sot dhe nesër ndeshjet e javës së saj të 15-të dhe Partizani pret në “Elbasan Arena” Laçin, ndërsa Tirana në kryeqytet, Korabin. Për trajnerin e të kuqve, Sulejman Starova, Laçi është një kundërshtar që nuk mund të nënvlerësohet. Ndërsa, për mesfushorin e bardhebluve, Afrim Taku, Tirana duhet të jetë më efikase në lojën e saj, sidomos të shtunën ndaj dibranëve.
Dy rivalet kryeqytetase, Partizani dhe Tirana, vazhdojnë duelin e tyre në distancën dhe të shtunën, në kuadër të javës së 15-të, të kuqtë presin në “Elbasan Arena” Laçin, ndërsa bardheblutë, Korabin. Për trajnerin Sulejman Starova, Laçi është një kundërshtar që nuk mund të nënvlerësohet. Trajnerit të të kuqve duket se nuk i ka kaluar ende indinjata pas ndeshjes me Kukësin, ku Partizanit iu mohua një gol dhe pretendohet se vendimet e gjytarit ndryshuan rrjedhën e lojës.
Për trajnerin e Partizanit, mungesa e tifozërisë për shkak të ndeshjeve të luajtura jashtë Tirane, ka ndikuar në rezultate. Ndaj Laçit thotë se do të jetë e vështirë pasi e tillë ka qenë edhe për Skënderbeun dhe Tiranën. Ndërkohë, për mesfushorin e Tiranës, Afrim Taku, bardheblutë duhet të jenë më efikasë në lojën e tyre, sidomos të shtunën ndaj dibranëve. Si takimi Tirana-Korabi, ashtu edhe ai Partizani-Laçi, luhen të shtunën duke nisur nga ora 17:00, përkatësisht në kryeqytet dhe në Elbasan.
Kategoria Superiore
Java e 15-të
Të premten:
Teuta – Skënderbeu (18:00)
Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës
Të shtunën:
Vllaznia – Luftëtari (14:00)
Stadiumi “Loro Boriçi”, Shkodër
Kukësi – Flamurtari (14:00)
Stadiumi “Zeqir Ymeri”, Kukës
Tirana – Korabi (17:00)
Stadiumi “Selman Stërmasi”, Tiranë
Partizani – Laçi (17:00)
Stadiumi “Elbasan Arena”, Elbasan