AlbanianSport.com 05/01/2024 19:15
ASNN – Mbizotëron në takimin e luajtur në Antalja, në të parin me Orges Shehin në stol. Partizani i drejtuar tashmë nga trajneri Orges Shehi, ka zhvilluar të premten në mesditë miqësoren e parë në Turqi, teksa është ndarë në një barazim 1-1 me skuadrën e Volendamit, që militon në nivelin më të lartë të kampionatit holandez të futbollit. Në fakt, të kuqtë e Shehit e mbizotëruan lojën, duke kaluar të parët në epërsi, por duke u ndëshkuar më pas nga një gabim në mbrojtje.
Partizani ka nisur prej disa ditësh një fazë përgatitore në Antalja të Turqi, aty ka programuar edhe disa ndeshje miqësore. Dhe një të tillë, të kuqtë e drejtuar tashmë nga trajneri Orges Shehi, e kanë zhvilluar të premten në mesditë, teksa janë ndarë në një barazim 1-1 me skuadrën e Volendamit, që militon në nivelin më të lartë të kampionatit holandez të futbollit. Në fakt, skuadra e Shehit e mbizotëroi lojën, duke rrezikuar dy herë me Carën dhe Rrapajn në pjesë e parë, e cila u mbyll sidoqoftë me rrjeta të paprekura.
Ndërkaq, në të dytë, është Partizani që kalon i pari në epërsi, me golin që u shënua në minutën e 68-të nga 20-vjeçari i sapofutur në lojë, Luis Birçaj. Por festa e të kuqve do të zgjasë pak, pasi vetëm 4 minuta më vonë, holandezët barazuan me anë të Buthit, pas një gabimi në mbrojtje nga Sembene. Kështu Shehi debuton me një barazim në krye të Partizanit, në një sfidë jo zyrtare, teksa skuadra do të vijojë stërvitjen në Antalia dhe takimi i radhës do të jetë ai përballë Neftçit të Bakusë, pas 4 ditësh, më 8 janar.