AlbanianSport.com 24.08.2017 22:45
ASNN – Fundjava do ta kthejë aksin detar Otranto-Vlorë në arenën e një risie sa sportive, aq edhe për promovimin e turizmit. Bëhet fjalë për veprimtarinë shumëfaqëshe, Kupën “Pilot 2017” e cila do të ndërthurë lundrimin detar, garat me “mountain-bike” dhe zbritje e lira me parashutë.
Itinerari detar Vlorë-Otranto dhe anasjellas është përmendur jo rrallëherë për arsyet e gabuara, por, këtë fundjavë, ai do të jetë, për arsye të dobishme, arena e një risie sa sportive, aq edhe për promovimin e turizmit. Bëhet fjalë për veprimtarinë shumëfaqëshe, Kupën “Pilot 2017” e cila do të ndërthurë lundrimin detar, garat me “mountain-bike” dhe zbritje e lira me parashutë. Në thelb, kjo veprimtari 3-ditore, e organizuar nga Fondacioni EDS dhe Lega Navale Italiana e Otrantos, ka për synim organizimin e një grupi varkash me vela, të shoqëruara nga ato me motor, që do të nisen nga qyteti i Otrantos, për të mbërritur në atë të Vlorës në një gare modeste midis tyre. Kjo garë ka për qëllim zhvillimin e marrëdhënieve midis këtyre qyteteve, si nga ana sportive, kulturore dhe turistike, si dy qytete shumë pranë me njëri-tjetrin. E gjithë kjo veprimtari, që do të zhvillohet nga data 25, deri më 27 gusht, do të zërë fill nga qyteti i Otrantos dhe, pasi të përshkohet kanali i Otrantos, ndalesa e parë do të jetë në ishullin e Sazanit dhe, më pas, do të vazhdohet drejt Gjirit të Vlorës dhe, më pas, mbërritja në portin e jahteve në Orikum. Të shtunën, në Gjirin e Vlorës do të zhvillohet një “regatë” brenda gjirit me pjesëmarrjen e barkave me vela italiane dhe ato shqiptare, e cila do të kurorëzohet me dhënien e çmimeve simbolike për 3 vendet e para. Gjithë veprimtaria do të shoqerohet me aktivitetite të tjera, muzikë, etj. Pjesëmarrja e konfirmuar është 30 varka me vela dhe rreth 20 varka me motor.