AlbanianSport.com 02/10/2019 20:20
ASNN – Të mëdhatë shmangin të papriturat, kualifikohen 10 të Superiores e 6 të Së Parës. Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, ka njohur të mërkurën 16 skuadrat që vijojnë më tej rrugëtimin e tyre dhe 6 prej tyre janë ekipe të Kategorisë Superiore, ndërsa 6 të tjerat të Kategorisë së Parë. Janë luajtur të mërkurën 12 takimet e mbetura të ndeshjeve të kthimit të turit të 32-shes së Kupës së Shqipërisë dhe pasi ka njohur të martën 3 skuadrat e para të kualifikuara, 24 orë më pas janë mësuar edhe 12 skuadrat e tjera që vijojnë më tej në turin e 16-shes.
Sa i përket çiftit të fundit, atij Apolonia-Kamza, kjo e fundit është përjashtuar për dy vjet nga Kupa, pasi në takimin e parë, që duhet të luhej në Fier, skuadra mike nuk u paraqit. Kësisoj, skuadra fierake kualifikohet për më tej pa luajtur asnjë ndeshje dhe duke i marrë fitoret në tavolinë. Në grupin A, Partizani i fitoi të dy takime, 3-0 dhe 1-0 ndaj Vorës, ashtu sikundër bëri edhe Teuta që mposhti 2-0 dhe 6-2 Tërbunin e Pukës. Megjithëse u ndal pa gola në Shënkoll përballë vendasve në ndeshjen e parë, Tirana ka fituar 4-0 në ndeshjen e kthimit në kryeqytet dhe bardheblutë kualifikohen për më tej.
Edhe Flamurtari ka shmangur ndonjë të papritur të pakëndshmem duke fituar 5-0 në Vlorë dhe duke lënë pas atë humbje me shifrat 2-3 në Koplik përballë Veleçikut. Kastrioti ka fituar minimalisht në fushën e vet në derbin me Ilirinë e Fushë-Krujës dhe kualifikohet falë golit të shënuar në fushë të huaj në humbje 1-2 në takimin e parë. Edhe Vllaznia i ka fituar të dy takimet, 1-0 dhe 2-0, përballë Burrelit, ashtu sikundër ka bërë edhe Erzeni, që, pasi e mundi thellë, 3-0 Dinamon, në ndeshjen e parë, e ka mundur edhe në ndeshjen e kthimit 1-0.
Edhe Besëlidhja u kualifikua me gol në fushë të huaj ndaj Korabit, pasi fitoi 1-0 në Lezhë, ndërsa takimi i parë në Peshkopi ishte fituar nga vendasit 2-1. Ndërkaq, në grupin B, Kukësi, që fitoi me shifrat 3-1 në Peqin përballë Shkumbinit, ka vijuar të triumfojë thellë, 6-0, në ndeshjen e kthimit të luajtur të martë. Skënderbeu, që pati fituar me shifrat 4-1 në derbin me Devollin, u mund 0-2, po u kualifikua për më tej, ashtu siç bëri edhe Laçi, që mposhti Elbasanin 4-0, ndërsa takimi i parë midis tyre ishte mbyllur pa gola.
Bylisi u mund 1-2 në ndeshjen e kthimit, por fitorja 4-0 në Pogradec në ndeshjen e parë i ka mundësuar kualifikimin. Edhe Luftëtari, i cili fitoi në fushë të minimalisht ndaj Turbinës në Cërrik, ka vijuar të mos gabojë të martën duke fituar 2-1 edhe në ndeshjen e kthimit, ashtu siç ka bërë edhe Lushnja fitoi 2-1 përballë Orikut në takimin e parë, por ka vijuar të fitojë 2-0 edhe në kthim me bregdetarët.
Kupa e Shqipërisë
Ndeshjet e kthimit të turit të 32-shes
Grupi A
TEUTA – Tërbuni Pukë (2-0) 6-2
FLAMURTARI – Veleçiku Koplik (2-3) 5-0
TIRANA – Shënkolli (0-0) 4-0
KASTRIOTI – Iliria Fushë-Krujë (1-2) 1-0
VLLAZNIA – Burreli (0-1) 2-0
Dinamo – Erzeni Shijak (0-3) 0-1
BESËLIDHJA – Korabi Peshkopi (1-2) 1-0
PARTIZANI – Vora (3-0) 1-0
Grupi A
SKËNDERBEU – Devolli (4-1) 0-2
LAÇI – Elbasani (0-0) 4-0
LUFTËTARI – Turbina Cërrik (1-0) 2-1
BYLIS – Pogradeci (4-0) 1-2
BESA – Egnatia Rrogozhinë (1-0) 2-0
Oriku – LUSHNJA (1-2) 0-2
KUKËSI – Shkumbini (3-1) 6-0
Kamza – APOLONIA (Aforfe) (0-3) 0-3
Shënim: Në kllapa është shënuar rezultati i ndeshjeve të para, ndërsa me shkronja kapitale, ekipet e kualifikuara.