AlbanianSport.com 09/11/2020 20:35
ASNN – Skenarët e mundshme në prag të dy ndeshjeve të fundit të Kombëtares në Ligën C. Liga e Kombeve të Evropës luan në 10-ditëshin e dytë të nëntorit dy ndeshjet e fundit të fazës së grupeve dhe Shqipëria i luan të dyja në shtëpi, teksa pret më 15 nëntor Kazakistanin dhe, 3 ditë pas, Bjellorusinë. Përtej miqësores me Kosovën, Shqipëria i ka sytë tek dy sfidat e fundit të grupit të 4-t të Ligës C të Ligës së Kombeve të Evropës.
Në fakt, ky grup ka dëshmuar të jetë krejtësisht i hapur, teksa vetëm Bjellorusia, që kryeson renditjen, ka grumbulluar 7 nga 12 pikët e mundshme, ndërsa dy ekipet e tjera, Lituania dhe Shqipëria, kanë grumbulluar më pak se gjysmën, 5, e Kazakistani vetëm 4 pikë. Kjo renditje nënkupton se fati i kreut të grupit nuk është më në duart e Kombëtares kuqezi, teksa duhet që minimalisht bjellorusëve t’u shkasë këmba dhe rezultatet e skuadrave të tjera të shkojnë në favor të skuadrës së trajnerit Edi Reja.
Shqipëria ka në favor të saj faktin se dy ndeshjet e fundit i luan në shtëpi, teksa pret më 15 nëntor Kazakistanin dhe, 3 ditë pas, Bjellorusinë. Është e qartë që, edhe një barazim me kazakët do të nënkuptonte plotësisht dorëzim në betejën për vendin e parë, duke e bërë të pavlefshëm rezultatin e ndeshjes së fundit me bjellorusët. Kuqezinjtë mund të bënin edhe me 4 pikë në dy përballjet e fundit, por vendi i parë do të shndërrohej në një rebus të vërtetë matematikor.
Bjellorusët janë në pozicion më të favorshëm, jo vetëm për pikët e grumbulluara, por edhe për faktin se përballen vetë me dy rivalet e drejtpërdrejta në dy ndeshjet e fundit, teksa presin në shtëpi Lituaninë dhe vizitojnë Shqipërinë. Në rast të një barazimi me pikë në fund me Bjellorusinë, është Kombëtarja kuqezi që përfiton, pasi e ka fituar 2-0 ndeshjen e parë në Minsk, por, për të njëjtën arsye, skuadra e trajnerit Edi Reja rrezikon në rast të pikëve të barabarta me Lituaninë.
Baltikët fituan 1-0 në Tiranë dhe ndeshja e kthimit u mbyll me rrjeta të paprekura në Vilnius. Sidoqoftë, me vetëm 3 pikë që i ndajnë 4 skuadrat e këtij grupi nga njëra-tjetra, janë të mundshme të gjitha hipotezat matematikore, nga ajo më e mundshme, e deri tek ajo më e paimagjinueshme, sa i përket vendit të parë që të ngjit një Ligë më lart, në Ligën B por edhe sa i përket vendit të fundit, që të çon në play-off-in e mbijetesës, në përfundim të të cilit 2 nga 4 skuadrat zbresin një Ligë më poshtë, në Ligën D.