AlbanianSport.com 17/09/2021 21:40
ASNN – Java e dytë e Kategorisë Superiore ka ngritur të premten siparin e saj dhe Dinamo dhe Laçi janë ndalur në një barazim 1-1 në takimin e zhvilluar në Stadiumin “Elbasan Arena”, pas një ndeshje shumë të luftuar dhe të vendosur sërish nga vendimet e risisë së Sistemit të Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR). Ndeshja u ndez që në minutën e 4-t kur Ademi dha një pasim të saktë për Zarubicën, por sulmuesi goditi keq dhe shpërdoroi për kurbinasit.
Pas këtij rasti lojës iu rikthye barazia, por dalëngadalë Dinamo nisi të fitojë terren dhe krijoi disa mundësi të mira, derisa arriti të shënonte në minutën e 42-të. Gol, por jo i rregullt sepse gjyqtari Ferati, në bashkëpunim me “VAR”-in vendosi e cilësoi si pozicion jashtë loje vendosjen e Sofranakun në momentin e golit. Kështu, 45 minutat e para u mbyllën me barazim pa gola. Me nisjen e së dytës, Dinamo vazhdoi të ishte agresive.
Dhe ajo arriti të finalizojë me sukses këtë trysni të saj, duke shënuar në minutën e 53-të golin që vlente, që në fakt ishte një autogol i Julian Shehut. Por në minutën e dytë të shtesës Laçi shënoi me Roganoviçin dhe pasi gjyqtari shpenzoi rreth 3 minuta në rishikimin e golit në VAR, u dha të drejtë kurbinasve dhe e cilësoi golin e rregullt, duke fiksuar shifrat 1-1 dhe të dyja skuadrave iu desh të mjaftohen me “paqen” dhe ndanë nga një pikë pas një beteje mjaft të fortë.
Ndërkohë, të shtunën janë në edhe dy ndeshje të tjera mjaft interesante të javës së dytë. Fillimisht vëmendja do të jetë në Korçë, aty ku do të përballen dy skuadra që e nisën kampionatin me humbje. Skënderbeu dhe Partizani duan pikët e plota dhe përballen mes tyre prej orës 16:45. Në mbrëmje luhet edhe sfida më e fortë e javës, teksa Stadiumi “Loro Boriçi” hap dyert për duelin që edhe vjet, por edhe këto javët e fundit pati shumë interes.
Fituesja e Kupës së Shqipërisë dhe nënkampionia, Vllaznia, pret Teutën “kampione” në fuqi dhe do të kërkojë hakmarrjen për atë humbje pak javë më parë në finalen e Superkupës. Gjatë javës nuk kanë munguar as deklaratat ngacmuese mes drejtuesve dhe tani futbollistët duhet të flasin në fushë. Ndërkaq, të dielën do të luhen dy ndeshjet e fundit të javës së dytë të Kategorisë Superiore. Tirana pret në Stadiumin “Selman Stërmasi” Egnatian e Rrogozhinës, ndërsa Kukësi do të përballet me Kastriotin.