AlbanianSport.com 31/08/2021 14:55
ASNN – Kombëtarja shqiptare e Nën-19-vjeçarëve ka nisur që prej ditës së hënë grumbullimin për dy ndeshjet që skuadra do të zhvillojë kundër Izraelit në datat 3 dhe 5 shtator 2021 në Tiranë, në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet. Kuqezinjtë kanë zhvilluar disa ndeshje miqësore që kur trajneri Armando Cungu ka marrë drejtimin e skuadrës.
Ndërsa edhe këto ndeshje do t’i shërbejnë ekipit për të forcuar sa më shumë grupin. Për të folur në lidhje me këto dy sfida, dy futbollistët e Kombëtares, Marcelino Preka dhe Klevi Qefalija kanë dalë ditën e sotme në një konferencë për mediat. Për Prekën, edhe pse nuk është hera e parë që grumbullohet me Kombëtaren, sërish shprehet i emocionuar dhe i lumtur për ftesën nga ekipi Kombëtar.
Ai shpreson se në këto dy ndeshje skuadra t’ia dalë me sukses, teksa flet edhe për synimet për të ardhmen dhe marrëdhënien me grupin e Kombëtares. “Ftesa nga Kombëtarja është thirrja më e bukur për një sportist, – ka thënë ai fillimisht. – Falënderoj stafin për besimin që më ka dhënë. Jam shumë i emocionuar që ndodhem këtu. Kemi dy ndeshje ndaj Izraelit, kemi zhvilluar edhe shumë miqësore.”
“Grupi është, ekipi është dhe shpresojmë t’ia dalim me sukses, – ka vijuar futbollisti kuqezi. – Objektivi ynë është të bëhemi një grup i fortë për eliminatoret e Kampionat Evropian. Me çunat dhe stafin e Kombëtares kemi një lidhje shumë të fortë. Rrimë shumë bashkë me njëri-tjetrin. Motivohemi shumë dhe kur vijnë lojtarë të rinj, i mbajmë shumë afër.”
“Mendoj se duke qëndruar të bashkuar, do të bëhemi edhe më të fortë. Synimet për të ardhmen? Shpresoj që të kap majat e Evropës”, – ka përfunduar lojtari i Kombëtares shqiptare të Nën-19-vjeçarëve, Marcelino Preka.