AlbanianSport.com 11.10.2016 18:20
ASNN – Kombëtarja shqiptare e Nën-19-vjeçarëve ka fituar ndaj Gjibraltarit 1-0 falë golit të realizuar nga Zeka që në minutën e 8-të të pjesës së parë. Kjo ndeshje ishte e vlefshme për grupin e 4-t të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian të kësaj grupmoshe. Sfida e luajtur në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet, u transmetua drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, nëpërmjet kanalit RTSH Sport të platformës dixhitale të transmetuesit publik.
Kombëtarja shqiptare e Nën-19-vjeçarëve ka marrë 3 pikët e para në fazën eliminatore të Kampionatit Evropian. Kuqezinjtë e vegjël, të drejtuar nga trajneri Arjan Bellai fitojnë 1-0 ndaj Gjibraltarit, ndeshje kjo e luajtur në Stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë. Kjo është ndeshja e tretë për formacionin e Bellait në grupin e 4 eliminator. Në dy sfidat e para në grup, Nën-19-vjeçarët kuqezinj ishin mundur 0-1 me Irlandën dhe 2-3 me Gjermaninë.
Në ndeshjen e së martës, futbollistët kuqezinj luajnë mirë, duke kaluar në epërsi që në minutën e 8-të me anë të Zekës, i cili gjuan bukur me të majtën nga jashtë zone. Por, më pas, loja e skuadrës kuqezi e humbet ritmin e fillimit duke krijuar hapësira në mbrojtje dhe duke i dhënë mundësi kundërshtarit të rrezikojnë. Falë pritjeve të portierit kuqezi Dajsinani, porta e Shqipërisë mbetet e paprekur. Kështu, me fitoren 1-0 mbyllen 90 minutat e sfidës Shqipëri-Gjibraltar, e vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian të Nën-19-vjeçarëve.