AlbanianSport.com 07/01/2019 10:35
ASNN – Edhe Kombëtarja e Nën-19-vjeçarëve do të grumbullohet këtë fillimviti në Durrës. Janë 23 lojtarë, të cilët do të vihen nën urdhërat e trajnerit Nevil Dede, e për 6 ditë do të kryejnë seanca stërvitore në Durrës. Nga lista e publikuar, vihen re futbollistë që luajnë në kampionatin shqiptar, atë grek, italian dhe maqedonas. Nga Kosova nuk ka asnjë lojtar. Pas inspektimeve të bëra nga trajneri Dede dhe stafi i tij, duket se në Maqedoni, ka lojtarë të cilët kanë shumë dëshirë për të veshur fanellën kuqezi.
Gjatë përzgjedhjeve të bëra në Itali, i pranishëm ka qenë edhe trajneri i Kombëtares së të rriturve, Kristian Panuçi, i cili shprehu edhe mendimin e vet për ta. Ndërsa u vu re se disa lojtarë të talentuar nuk kanë marrë pjesë në seleksionim për arsye të ndryshme. Çfarë politike do të ndjekë Federata Shqiptare e Futbollit për t’i mbajtur në Kombëtaren kuqezi këta lojtarë? Trajneri i Kombëtares së Nën-19-vjeçarëve, Nevil Dede edhe njëherë vuri theksin se lojtarët që luajnë në kampionatin shqiptar do të jenë më të favorizuar për të veshur bluzën e titullarit në kombëtare.
“Ky është një grumbullim, mbi të gjitha për të parë elementët kryesorë që kanë qenë në skuadër, por edhe prurjet e reja, që kanë ardhur si pasojë e përzgjedhjeve që bëmë gjatë vitit të kaluar në Greqi, Maqedoni dhe Itali, – tha ai. – Por, të grumbulluarit janë edhe pjesë e përzgjedhjeve të mëtejshme që janë bërë në kampionatin shqiptar. Nga informacioni i parë, që kam deri tani, mund të them se është e mirë. Nuk mund të them më shumë. Pasi të mbarojë ky grumbullim, atëherë mund të kem një ide më të qartë.”
“Por, besoj se ka lojtarë shumë të talentuar dhe me të ardhme, – ka thënë ish-futbollisti dhe ish-trajneri bardheblu. – Gjithmonë flasim për momentin, sepse zhvillimet e lojtarëve në tilla mosha janë pak të vështira. Kjo moshë është shumë delikate, pasi mbarojnë tek ekipet respektive të të rinjve dhe pastaj është shumë e vështirë që të gjejnë hapësirat e duhura me ekipet e para. Kalojnë periudha shumë të vështira, me ulje-ngritje të mëdha, dhe kjo nuk më bën të qartë përsa i përket vazhdimësisë së këtyre lojtarëve.”
“Për momentin kemi elementë shumë të mirë. Lista është shumë e madhe, janë mbi 60 lojtarë. Ne do t’i mbajmë nën vëzhgim, do të kenë vëmendjen tonë maksimale. Besoj se do të bëjmë një punë shumë të mirë”, – ka përfunduar trajneri i Kombëtares së Nën-19-vjeçarëve, Nevil Dede.