AlbanianSport.com 17/03/2021 16:35
ASNN – Ekipi kombëtar i futbollit të Nën-19-vjeçarëve ka zhvilluar të mërkurën një përzgjedhje njëditore me 25 lojtarë, të cilët aktivizohet me klubet e kampionatit shqiptar. Përzgjedhja është zhvilluar në Qendrën e Ekipeve Kombëtare të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) në Kamëz nën drejtimin e trajnerit të ekipit kombëtar të kësaj grupmoshe, Armando Cungu dhe stafi të tij teknik. Duke folur për faqen zyrtare në Internet të FSHF-së, trajneri kuqezi ka shpjeguar edhe fokusin e tij në të ardhmen dhe ecurinë e deritanishme të punës që po bëhet me lojtarët e kësaj grupmoshe që aktivizohen në kampionatin shqiptar.
“Para një muaji ne zhvilluam një përzgjedhje 3-ditore, në përgjithësi ishin lojtarë të vitlindjes 2002 dhe kjo me mendimin se do të zhvillohej një turne evropian në Republikën Çeke e kjo ishte arsyeja që ne e bëmë atë grumbullim shumë shpejt, – ka rrëfyer ish-trajneri, ndër të tjera, i Kukësit, Laçit dhe Vllaznisë. – Fatkeqësisht ajo veprimtari e planifikuar nuk u zhvillua dhe po fatkeqësisht brezi i vitit 2002 pothuajse digjet, pra është e pamundur të marrë pjesë në veprimtari. Kështu që duke parë nga e ardhmja do të fokusohemi më shumë te vitlindja 2004 dhe ndonjë element i brezit të 2004-s.”
Kjo është hera e parë që ne i japim mundësi, gjithmonë duke u fokusuar tek ekipet e Kategorisë Superiore në kampionatin shqiptar dhe duke u fokusuar te lojtarët e lindur në vitin 2003, – ka vijuar shkodrani i stolit kuqezi. Konkretisht sot është grupi B, nëse mund ta quaj kështu grupin e Jugut, dhe javën tjetër do të përzgjedhim edhe grupin A, grupin e Veriut, vetëm brezin e 2003-shit për momentin dhe do të kemi një pasqyrë më të qartë sa i përket potencialeve që ka ky brez. Pastaj do të merremi me të njëjtin sistem edhe me brezin e lojtarëve të lindur në vitin 2004. Them se krijojmë në një farë mënyre një ekip kombëtar me lojtarë që aktivizohen në kampionatin shqiptar.”
Përveç testeve fizike e taktike, në këtë seleksionim u zhvillua edhe një ndeshje kontrolli, ku futbollistët e rinj patën mundësi të tregonin vlerat e tyre në fushën e blertë.