AlbanianSport.com 07/01/2019 13:55
ASNN – Janari është një muaj tepër aktiv për Kombëtaren e Nën-17-vjeçarëve. Nën drejtimin e trajnerit Elvin Beqiri, kuqezinjtë e kësaj grupmoshe do të marrin pjesë në turneun “Kupën e Egjeut – Mercedes Benz 2019”. Kjo veprimtari zhvillohet nga data 14, deri më 17 janar 2019 në Turqi. Trajneri Beqiri ka pranuar se ky turne do t’i shërbejë për të gjetur elementin e mirë. Por sa dëshirë kanë futbollistët Nën-17-vjeçarë që të luajnë me fanellën kuqezi? Trajneri shkodran ka pranuar se, për të krijuar formacionin që do të luajë në veprimtari të ndryshme ndërkombëtare, do të bazohet në lojtarët që luajnë në kampionatin shqiptar.
Kjo, sepse sistemi i ri, jep mundësi për të bërë shumë turne e lojtarët që luajnë jashtë, do ta kenë të vështirë për të ardhur aq shpesh në vendin tonë. Elvin Beqiri ka luksin të ketë në dispozicion shumë lojtarë Nën-17-vjeçarëve. Dhe për t’u dhënë mundësinë të gjithëve për të luajtur ai ka bërë dy lista emërore. Në turneun që do të zhvillohet në Turqi do të marrin pjesë 8 skuadra të ndara në dy grupe. Shqipëria bën pjesë në grupin B së bashku me Spanjën, Rusinë dhe Maqedoninë. Në grupin A bën pjesë Turqia, Anglia, Azerbajxhani dhe Moldavia. Ndeshjet zhvillohen në datat 14, 15 dhe 17 janar 2019.
Objektivi i Elvin Beqirit është të vazhdojë rrugën e suksesshme me Nën-17-vjeçarët, pasi kjo Kombëtare ka kaluar dy herë nga faza eliminatore në Turin “Elitë”. Në fjalën e tij trajneri Beqiri theksoi se ky turne, si edhe grumbullimet e tjera që do të zhvillohen gjatë këtij viti, do ta ndihmojnë atë për të përcaktuar grupin e lojtarëve që do të jenë edhe baza për kombëtaren e kësaj. “Të punosh me moshat nuk është diçka e lehtë, brezat janë të ndryshëm, brezi i datëlindjes 2003 shpresojmë që të jetë një brez i mirë”, – tha ai. – Ne kemi parë shumë element gjatë seleksionimeve dhe jemi munduar të përzgjedhim më cilësorët si për datëlindjen 2003 ashtu edhe për 2004.”
“Jemi me fat që kemi dy turne përgatitor, një tani në Turqi dhe një tjetër në muajin mars në Maltë, ku ne do të na jepet mundësia të shikojmë me kujdes elementët e grumbulluar, dhe duke qenë se kemi përballje me ekipe të forta, këtu mund të dallojmë cilësitë e tyre, – vijoi shkodrani. – Këto dy turne do na japin mundësi të gjejmë elementët më të mirë për të përballuar me sukses eliminatoret që kemi në muajin nëntor. Rruga është e gjatë deri në nëntor dhe ne do të punojmë për të bërë grupin më të mirë të lojtarëve, që të furnizojnë ekipet kombëtare. Këtë vit do të organizojmë pothuajse çdo dy javë ndeshje kontrolli me lojtarët e talentuar që luajnë në Shqipëri.”
“Për t’i vëzhguar sa më mirë në mënyrë periodike, për të parë progresin në vazhdimësi. Fokusi jonë do të jetë tek lojtarët që luajnë në Shqipëri, – theksoi trajneri i Nën-17-vjeçarëve. – Padiskutim që do të ndjekim me kujdes edhe elementët që luajnë jashtë, por është më e vështirë për shkak të gatishmërisë, që ata kanë për shkak se luajnë në klube jashtë dhe mund ti bashkohen skuadrës vetëm për turne ose ndeshje miqësore që janë të planifikuara. Kombëtarja Nën-17-vjeçarëve është më e suksesshmja sepse ka kaluar dy herë në Turin “Elitë” brenda një kohe të shkurtër, kështu që edhe përgjegjësia ime dhe e stafit tim është shumë e madhe.
“Me synimin për të kaluar në Turin “Elitë”, kuptohet që nuk është diçka e lehtë, aq më shumë duke parë që kemi një grup të vështirë, por ne do të bëjmë më të mirën që të arrijmë në fazën tjetër”, – përfundoi Elvin Beqiri.