AlbanianSport.com 01/06/2020 23:55
ASNN – Burime pranë futbollistit konfirmojnë për RTSH Sport interesimin e klubit italian. Napoli i është shtuar listës së ekipeve që kërkojnë të marrin në merkaton e verës futbollistin e përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashica. E përditshmja sportive italiane “Corriere dello Sport – Stadio” ka shkruar se Napoli tashmë e ka kontaktuar me skuadrën e Verder Bremenit, për të kërkuar informacion për futbollistin dhe mundësinë e ofertës për të.
Një interesim të tillë e kanë konfirmuar për RTSH Sport burime pranë 23-vjeçarit, të cilat kanë sqaruar se, përkundër raportimeve të mediave italiane, Rashica nuk i ka kthyer ende një përgjigje, pasi ende po shqyrtohen të gjitha ofertat që kanë ardhur në drejtim të tij. Klubi i Bundesligës i kërkon 38 milionë euro për ish-futbollistin e Vushtrrisë dhe Viteses së Arnehmit, por Napoli shpreson ta sjellë Rashicën në “San Paolo” për 20 milionë euro.
Përveç Napolit, Rashica kërkohet edhe nga Lacio në Itali, nga Lajpcigu dhe Borusia e Dortmundit në Gjermani dhe nga Liverpuli, Aston Vila dhe Vulverhempton Uondërërs në Angli. Futbollisti nga Kosova ka patur dy sezone të suksesshme në planin personal me Verder Bremeni, me të cilën ka një kontratë deri në vitin 2022. Ai ka shënuar edhe 10 gola këtë sezon me skuadrën gjermane.