AlbanianSport.com 24/03/2018 20:45
ASNN – Një lajm i mirë ka ardhur për mundjen shqiptare, pasi sportisti i ri dhe i talentuar, Leonardo Frrokaj, ka lënë pas një dëmtim të rëndë dhe është drejt shërimit të plotë. Një gjë e tillë është mësuar nga familjarët e sportistit, por edhe nga presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Martin Biba.
Në javën e parë të nëntorit të vitit të shkuar, në Kampionatin Ballkanik të moshës deri në 17 vjeç në mundje, Leonard Frrokaj, prej të cilit pritej medalje, ka humbur ndjenjat gjatë garimit dhe ndeshjes së tij duke dëmtuar vertebrat e qafës.
Frrokaj, i cili është edhe kampion Shqipërie në kategorinë e peshës deri 63 kg dhe që garonte në stilin greko-romak, po ndeshej me kundërshtarin e tij nga Moldavia për medalje të artë ose të argjendtë. Por aty ka ndodhur edhe aksidenti dramatik. Federata Ballkanike e Mundjes dhe organizatorët e veprimtarisë i kanë ardhur në ndihmë sportistit shqiptar, të cilin e kanë transportuar me helikopter në Ljubljanë, ku i është nënshtruar një operacioni për rreth 4 orë.
“Përgjatë 4 muajve që vijuar, Frrokaj ka kaluar nga gjendja e komës, nëpër një proces të dhimbshëm dhe të gjatë rekuperimi, për të ardhur në këtë ditë që ne jemi të lumtur se ai qëndron mbi këmbët e tij, natyrisht ndihmën e pajisjeve mbështetëse”, – ka deklaruar për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar nëpërmjet linjës telefonike presidenti i mundjes shqiptar, Martin Biba.
Ai ka shtuar se vendimtare ka qenë mbështetja që shteti shqiptar ka dhënë, qoftë nëpërmjet ambasadorit shqiptar në Slloveni, Pëllumb Qazimi, qoftë nëpërmjet Ministres Lindita Nikolla, apo deri edhe presidentit të Republikës, Ilir Meta, por edhe presidentit të Federatës Botërore të Mundjes, Nenad Laloviç.