AlbanianSport.com 26/02/2018 17:05
ASNN – Një figurë e madhe që ka merituar tituj “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Nderi i qytetit të Tiranës”, “Mjeshtër i Madh”, siç është ish-basketbollisti dhe trajneri Muhamet Përmeti, është përjetësuar tashmë në një dokumentar. Një dokumentar prej 32 minutash, i cili ka pasur skenarin e Dëfrim Methasanit, kamerën e Agron Hotit, montazhin e Endri Krasniqit dhe një stafi të gjerë, që mbi të gjitha ka shfrytëzuar dhe arkivin e pasur të Radio Televizionit Shqiptar.
Muhamet Përmeti ose legjenda “Pata”. Ky është dokumentari i Radio Televizionit Shqiptar dhe gazetarit sportiv Dëfrim Methasani, që është promovuar ditët e fundit në kryeqytet. Në prani të shumë figurave sportive, aty ku mbizotëronte basketbolli, por dhe gazetarisë sportive në vend të tillë, është shfaqur për herë të parë ky dokumentar. Në prag të dokumentarit një përshëndetje ka ardhur dhe nga këshilltari i Presidentit të Republikës, Leonard Tase.
Por edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, që nën emrin e presidentit Avni Ponari i ka dorëzuar titullin “Mirënjohje”. Vetë Përmeti ia ka atribuuar sukesin e tij në karrierë basketbollistëve bashkëkohës. Një figurë e madhe që ka merituar tituj “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Nderi i qytetit të Tiranës”, “Mjeshtër i Madh”. Një familjar dhe një hokatar për të gjithë shoqërinë, ndërsa nga fisi Përmeti janë dhe 4 të tjerë që janë përkushtuar basketbollit.
Shumë ngjarje, shumë kujtime, që nuk lidhen vetëm me Tiranën, por dhe me Pogradecin, kurse tifozët edhe sot e kujtojnë me nostalgji Muhamet Përmetin ose legjendën “Pata”. Fundi një lumë dhuratash për Muhamet Përmetin, që të enjten e shkuar ka pasur dhe 82-vjetorin e lindjes.