AlbanianSport.com 11.09.2016 20:50
ASNN – Dani Pedroza është fituesi i Çmimit të Madh të San Marinos, në Botërorin e motorëve, Moto Gp. Edhe pse është nisur nga vendi i katërt, Piloti spanjoll i “Honda”-s,ka bërë një garë të bukur, duke parakaluar 3 pretendentët kryesorë për titullin botëror, Markezin, Lorencon dhe Rosin. Kjo garë u transmetua drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar.
Çmimi i Madh i San Marinos, në Botërorin e Motorëve ka patur si fitues, Dani Pedrozën. Piloti spanjoll i “Honda”-s, ka bërë një garë të bukur në pistën e Mizanos duke lënë pas tre pretendentët kryesorë për titullin “kampion bote”, Mark Markezin, Horhe Lorencon dhe Valentino Rosin. I nisur nga vendi I katërt, Pedroza fillimisht kalon shokun e skuadrës, Markez.
Ndërkohë që Rosi merr kryesimin e garës duke parakaluar Horhe Lorencon. Për disa xhiro, dueli midis dy pilotëve spanjollë për vendin e dytë përcjell emocione. Pedroza arrin të kalojë edhe Lorencon dhe fillon t’i afrohet Rosit. 7 xhiro para përfundimit të garës, arrin ta parakalojë edhe Valentino Rosin duke marrë kryesimin e garës. Të cilin arrin ta mbajë deri në fund.
Kjo është fitorja e parë në këtë Botëror për Dani Pedrozën. Në përfundim të garës në pod ngjiten edhe Rosi e Lorenco, përkatësisht në vendin e dytë dhe të tretë. Kur kanë mbetur edhe 5 gara nga përfundimi i botërorit, në krye të renditjes për pilotë ndodhet Mark Markez, i ndjekur nga Valentino Rosi.