AlbanianSport.com 20/10/2018 07:55
ASNN – Mark Markezi dhe vëllai i tij, Aleksi, janë bërë protagonistë të dy aksidenteve në Motegi, ndonëse me shkallë të ndryshme rrezikshmërie, gjatë provave të Çmimit të Madh të Japonisë. Duket se pista e Motegit nuk është edhe aq dashamirëse me familjen Markez.
Të shtunën në mëngjes, me orën e Tiranës, kampioni në fuqi dhe kryesuesi i renditjes, Mark Markez, pati një rrëshqitje në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Japonisë, por pa shumë probleme. Ky episod erdhi vetëm pak orë pasi vëllai i tij i vogël, Aleksi, u bë protagonist i një aksidenti të frikshëm gjatë provave të lira të nivelit të dytë të Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit, që njihet si Moto 2.
Në kthesën e shtatë, 22-vjeçarit i doli motori nga kontrolli, duke e fluturuar atë në ajër, ndërsa, pas përplasjes, motori mori flakë dhe pasi nevojë për ndërhyrjen e zjarrfikësve. Për fatin e mirë të pilotit spanjoll, gjithçka u mbyll pa pasoja, por padyshim që këto kanë qenë orë ankthi për familjen Markez.