AlbanianSport.com 14/11/2018 17:05
ASNN – Një prej pilotëve më të përfolur në garat e motorëve, Dani Pedroza, ka vendosur të tërhiqet në fund të këtij edicioni dhe lajmin për mediat e ka dhënë vetë personalisht. Ai nuk e ka fshehur trishtimin që po e lë këtë sport, por njëherësh edhe që nuk fitoi asnjë titull.
Duhet theksuar se Pedroza ka një karrierë të gjatë në Moto GP, që prej vitit 2006, kur u bë pjesë e “Honda”-s. Në karrierën e tij 12-vjeçare me këtë motor, piloti spanjoll ka marrë pjesë 217 gara, ku ka fituar 31 prej tyre, por pa arritur dot të fitojë asnjë titull nivelin më të lartë të Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit.
Ndërkaq, në kategorinë e Moto 3, që është ajo e motorëve 125cc, ai fitoi një titull në 2003-shin, ndërsa në Moto 2, në kategorinë e 250cc, ai ka fituar dy tituj të “kampionit të botës”. Gara e Valencias që zhvillohet këtë të dielë, do të jetë e fundit për Dani Pedrozën.
“Çmimi i madh i Valencias është shumë i veçantë për mua, – u shpreh Pedroza për mediat, – pasi do të jetë gara ime e fundit. Ndihem i trishtuar për këtë lamtumirë. Në fakt, janë të shumtë miqtë dhe familjarët e mi që do të jenë të pranishëm për të më mbështetur dhe falënderuar për kaq vite emocion dhe rivalitet në këtë sport.”
“Ndaj unë këtë të diel nuk dua t’i zhgënjej. Do të tentoj të arrij rezultatin më të mirë të mundshëm, edhe pse e di që fitorja do të jetë shumë e vështirë”, – ka përfunduar i mbiquajturi “Samurai”.