AlbanianSport.com 03.06.2016 19:10
ASNN – Ka merkato lojtarësh, ka edhe merkato trajnerësh, ndërsa në Shqipëri ka nisur edhe merkatoja e drejtuesve. Kështu, Klubi i Futbollit të Kukësit do të ketë një drejtues të ri për sezonin e ardhshëm futbollistik. Presidenti i skuadrës veriore ia ka besuar këtë detyrë, Dritan Dervishit.
Ai, së bashku me trajnerin Klodian Duro e Hasanën Likën, do të jenë drejtuesit e skuadrës kuksiane si në ndeshjet e Ligës së Evropës ashtu edhe në kampionatin shqiptar. Kështu, ish-drejtori i Partizanit, Dritan Dervishi do të jetë drejtori i ri i përgjithshëm i Klubit të Futbollit të Kukësit.
Këtë vendim e ka komunikuar të premten para mediave, Presidenti i klubit verilindor, Safet Gjici. Skuadra e Kukësit, do të luajë në Ligën e Evropës, ndaj për të qenë një skuadër sa më e kompletuar kërkon edhe merkaton e duhur. Drejtori Dervishi ka pranuar se do të ketë afrime dhe largime lojtarësh.
Hëpërhë, skuadra e Kukësit është pushim. Të hënën futbollistët nën drejtimin e trajnerit Klodian Duro dhe stafit të ri drejtues do të fillojnë stërvitjen. Ndërsa në 13 qershor 2016 ekipi do të nisin fazën përgatitore, e cila do të kryhet jashtë vendit.