AlbanianSport.com 12/01/2021 20:10
ASNN – Ka nisur të martën turneu i ekipeve përfaqësuese rajonalepër grupmoshat Nën-13, Nën-14 dhe Nën-15-vjeç. Pjesë e këtij turneu janë “kombëtaret” rajonale të këtyre 3 grupmoshave nga Tirana, Durrësi, Fieri, Shkodra, Elbasani, Korça, Lezha dhe Gjirokastra, ku janë hapur sëfundmi dhe dy zyrat e reja rajonale të Federatës Shqiptare të Futbollit. I gjithë sektori i ekipeve kombëtare sëbashku me stafet teknike të skuadrave është duke ndjekur nga afër të gjithë ndeshjet për të evidentuar talentet e rinj që militojnë në kampionatet kombëtare dhe ato rajonale që organizon FSHF.
Për të folur në lidhje me qëllimin dhe objektivat e këtij turneu, Fshf.tv ka realizuar një intervistë me Sulejman Memën, specialistin e futbollin pranë Sektorit të Ekipeve kombëtare. “Bilanci i këtij aktiviteti rajonal që ne zhvillojmë për mua është pozitiv, – ka thënë trajneri i njohur. – Sot që flasim janë shtuar edhe rajonet, janë 8 të tilla, duke mbuluar të gjithë Shqipërinë. Janë zona që funksionojnë shumë mirë e që kanë stafet përkatëse, kanë trajnerë, trajnerë portierësh, mjekë, përgatitës atletik, të cilët kujdesen me seleksionimet e këtyre grup-moshave te zonat përkatëse.”
“Themi që ka dhënë efekt dhe ka rendiment, sepse gati të gjithë futbollistët e rinj të këtij brezi që po luan në kampionatet shqiptare kanë marrë pjesë në këtë turne rajonalë dhe tani kontribuojnë si në ekipet e para të klubeve dhe janë të promovuar, ndiqen në vazhdimësi nga ana jonë për të pasur cilësinë sa më të mirë, – ka vijuar ai. – Në këtë formë ne i stimulojmë futbollistët që ne përzgjedhim për këto grupmosha. Këtë vit janë tre grup-mosha, datëlindjet 2007, 2008 dhe 2009, ne shikojmë ecurinë e kësaj grup-moshe.”
“Por edhe i evidentojmë edhe të tjerët që do të jenë pjesë e vazhdimësisë të këtyre përzgjedhjeve për elitën e futbollit shqiptar, vijon Mema. – Them me bindje se është bërë një punë jashtëzakonisht e mirë.” Thelbi është shmangia e kampionatizmit dhe kërkimi i elementëve cilësor. “Ne nuk nisemi nga dëshira e trajnerit për të fituar turneun, ne nisemi nga dëshira dhe objektivi për të evidentuar dhe për të parë, për t’i ndjekur këto lojtarë lidhur me ecurinë që duhet të kenë, – thekson zyrtari i FSHF-së. – Ne i zgjedhim futbollistët dhe një herë në javë zhvillojmë stërvitje me zyrat rajonale.”
“Çështja është si të përmirësohen këta elementë sa më mirë në aspektin kualitativ, – vijon ish-futbollisti i bardhebluve të kryeqytetit. – Në procesin e vëzhgimit ne i sugjerojmë trajnerëve se çfarë duhet të bëjnë sipas programit stërvitor që ne u kemi dhënë dhe e ndjekim ecurinë e këtyre futbollistëve të rinj”. Në vijim të intervistës për Fshf.tv, Mema u pyet edhe në lidhje me punën që bëhet me elementët më cilësorë dhe të ardhmen e tyre. “Është në dorën e trajnerëve shqiptarë për t’u kujdesur për rritjen e elementëve të spikatur”, – ka thënë ai.
“Nëse i hedhim një sy në përgjithësi ekipeve kombëtare të moshave, ndoshta rezultatet nuk kanë qenë të mira, por ka shumë elementë të rinj që aktivizohen në klubet e Kategorisë Superiore apo edhe të tillë që janë transferuar jashtë vendit dhe kanë dalë nga seleksionimet e zyrave rajonale, – ka vijuar ish-trajneri. – E ardhmja është optimiste, duke parë prurjet në ekipet Kombëtare të Nën-17, Nën-19 dhe Nën-21-vjeçarëve aty ka shumë talente të përzgjedhur nga ne dhe Kombëtarja A nuk do të vuajë në të ardhmen për lojtarë të rinj.”
“Është shumë e rëndësishme aktivizimi i këtyre futbollistëve dhe trajnimi i tyre për periudhën që ne kemi zgjedhur”, – ka përfunduar eksperti i njohur.