AlbanianSport.com 08.09.2016 20:55
ASNN – Vllaznia-Kukësi është mbyllur me rezultatin 0-0. Ndeshje kjo e vlefshme për javën e parë të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, e cila u transmetua drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio Televizionit Shqiptar. Megjithë përpjekjet e futbollistëve të të dyja skuadrave, rezultati 0-0 nuk ndryshoi deri në përfundim të 90 minutave lojë.
Ndeshja e cila mbyll javën e parë të Kategorisë Superiore dha nga një pikë për të dyja skuadrat, të cilat u munduan të mos pësonin humbje në këtë nisje të kampionatit. Në Stadiumin e rindërtuar “Loro Boriçi” të Shkodrës, ndeshja nis një lojë të kujdesshme nga futbollistët e të dy ekipeve. Me pak raste për shënim dhe pa vënë në rrezik portierët përkatës mbyllen 45 minutat e para.
Në të dytën vihet re dëshira për shënim teksa është Vllaznia që rrezikon në të 51-ën minutë. Më pas, është Kukësi që rrezikon me anë të Pero Pejiçit. Sulmuesi kroat merr një top nga krahu i djathtë i sulmit, brenda zonës gjuan me të djathtën në minutën e 76-të, por topi kalon ngjitur me shtyllën e majtë pingule të portës së mbrojtur nga portieri shkodran.
Në 76-ën, mbrojtësi shtatlartë i Vllaznisë, Cimil, i ardhur në ndihmë të sulmit, gjuan me kokë brenda zonës kuksiane, por topi përfundon larg kuadratit të portës. 10 minutat e fundit të takimit ishin më emocionuese teksa rastet krijoheshin nga ana e të dyja skuadrave por pa rezultat. Vllaznia në minutën e 82-të ka humbur rastin më të mirë për shënuar kur Ylli Hoxha brenda zonës i vetëm me portierin nuk godet siç duhet me kokë.
Përfundimisht, 90 minutat në Loro Boriçi midis Vllaznisë dhe Kukësit mbyllen 0-0.