AlbanianSport.com 03/10/2021 20:55
ASNN – Me dy ndeshjet e fundit, të luajtur sot pasdreke dhe pasdite, ka ulur siparin java e 4-t e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Në të parë, të luajtur në kryeqytet, një Tiranë cinike rigjen buzëqeshjen në një ndeshje nga e cila mori maksimumin, teksa bardheblutë e trajnerit Orges Shehit rikthehen te fitorja duke iu falur dy autogolave të Roganoviç dhe Injatoviç, që zhysin Laçin në një krizë të vërtetë rezultatesh.
Në katër javë, kurbinasit akoma nuk kanë mundur të provojnë shijen e fitores. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa në të dytën, Roganoviçi ndëshkoi të tijtë pas harkimit të Seferit, gol që i dha një shuplakë shumë të fortë skuadrës mike. Gjithsesi, Dajsinani e mbajti përkohësisht në lojë Laçin duke i refuzuar Seferit kënaqësinë personale të golit. Goli i dytë lindi nga këmbët e Totres, topi i të cilit u devijua në mënyrën më të gabuar të mundshme nga Ignjatoviçi.
Një sukses ky që rikthen skuadrën e Orges Shehit si protagoniste, në një kampionat të dominuar nga barazimet, ndërsa shtyn Laçin si rrallëherë drejt zonës së ftohtë ku numëron vetëm një pikë më shumë se Kastrioti. Ndërkaq, pasdite, në Stadiumin “Elbasan Arena”, kanë qenë 45 minuta të çmendura për fitoren e kampionëve në fuqi dhe një humbje të pamerituar e deri diku e pakuptueshme për Kukësin, deri më tani kryesues me meritë.
Ndeshje e çmendur në Elbasan ku drama dhe festa u konsumuan njëkohësisht brenda një pjese loje ku u shënuan 5 gola dhe kampionët triumfuan 3-2 në ndeshjen më të zhurmshme të këtij sezoni.
Pas stuhisë vjen qetësia dhe e tillë ishte ndeshja në minutat e para të pjesës së dytë. Pushimi e uli ritmin e skuadrave dhe Kukësi nuk arriti të reagonte. VAR-i zbuloi pozicionin milimetrik të Bashës në rastin e golit të gjashtë të sfidës ku protagonist u bë sërish braziliani Korreira. Ndeshje me një fytyrë tjetër pasi Teuta humbi terren të vazhdueshëm duke ia lënë inisiativën Kukësit që pati një tjetër mundësi të artë për të barazuar, por Gjelbërim Taipi shpërdoroi në mënyrë të pabesueshme.
Kukësi regjistron disfatën e parë sezonale, ndërsa Teuta ngjitet në krye të renditjes bashkë me Tiranën por bardheblutë kryesojnë zyrtarisht për shkak të golaverazhit në favor.