AlbanianSport.com 20/02/2022 19:25
ASNN – Me takimin e fundit, të luajtur në Stadiumin “Elbasan Arena”, ku Teuta ka arritur të marrë një fitore të rëndësishme përballë Dinamos, ka ulur siparin java e 21-të e Kategorisë Superiore. Një gol i shënuar nga Emiliano Vila në minutën e 10 të takimit, u ka mjaftuar durrsakëve të Renato Arapit të sigurojnë 3 pikët. Trajneri Bledar Devolli nuk arrin kështu as këtë herë të sigurojë fitoren e parë në drejtimin e bluve, ndërsa edhe pse kishte raste të shumtë në këtë takim, nuk mundi të dilte triumfues nga kjo sfidë.
Një humbje që mund të kushtojë në fund të sezonit, sepse Teuta i “ka zhytur” blutë kryeqytetas në vendin e 8-të në tabelën e renditjes, duke rrezikuar kështu seriozisht edhe rënien nga niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Pas kësaj fitoreje, Teuta ngjitet në kuotën e 24 pikëve, në vendin e 6-të, ndërsa Dinamo ka 19 pikë, në vendin e 8-të, dhe diferenca me vendin e fundit të mbajtur nga Skënderbeu është vetëm 3 pikë.
Pas dy ndeshjeve të para, të luajtura të shtunën, java e 21-të e Kategorisë Superiore ka luajtur të dielën pasdreke dy takimet e tjera dhe Kastrioti ka shtangur në Kamzë Tiranën, duke e mundur kryesuesen e renditjes me shifrat 2-1. Tirana nuk mundi të përfitojë nga përballja e kundërshtarëve të saj, Laçit dhe Kukësit, por tani pas kësaj humbjeje vendi i parë fillon të lëkundet nga fitorja e kurbinasve në Laç, të cilët tashmë ndodhen vetëm 3 pikë larg, pasi mundën Kukësin 3-0, duke korrur kështu fitoren e 5-të radhazi.