AlbanianSport.com 05.03.2017 21:40
ASNN – Në atë që ishte padyshim java e barazimeve, pasi 4 nga 5 takimet nuk patën fitues, edhe ndeshja midis Flamurtarit dhe Kukësit nuk bëri përjashtim, pasi u mbyll me shifrat 1-1. Kjo ndeshje u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ndërsa Kukësi dhe Skënderbeu ndajnë kreun e renditjes me nga 48 pikë. Partizani, që fitoi sot minimalisht në Laç, mban vendin e tretë, me 46 pikë.
Java e 24-t e Kategorisë Superiore, e cila i ka luajtur të shtunën 3 takimet e saj të para, ka vijuar sot me dy takimet e tjera dhe, duke nisur nga ora 14:00, Laçi ka pritur Partizanin, në takimin që u fitua minimalisht nga të kuqtë kryeqytetas, me golin e vetëm të realizuar nga Krasniqi. Ndërkaq, duke nisur nga ora 17:00, Kukësi ka qenë mysafir në Vlorë, ku është ndeshur me Flamurtarin.
Kjo ndeshje, që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, është mbyllur në barazim 1-1. Në fakt, megjithëse kjo ishte një sfidë skajesh, pasi Kukësi mbante vendin e dytë në renditje, ndërsa Flamurtari është i parafundit në renditje dhe aktualisht në zonën e rënies nga Kategoria Superiore në atë Të Parën, ndeshja ka qenë kryesisht e barabartë.
Vlonjatët e kanë mbyllur pjesën e parë në epërsi, falë golit të Alveshit në minutën e 38-të, por verilindorët janë kundërpërgjigjur në pjesën e dytë me anë të Gurit. Dy takimet e para të javës së 24-t janë luajtur të shtunën dhe, në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, dueli Korabi-Tirana u mbyll në barazim 1-1. Ndërkohë, në barazim u mbyll edhe ndeshja tjetër mes Luftëtarit dhe Vllaznisë.
Por në ndryshim nga takimi Korabi-Tirana, në këtë ndeshje rrjetat mbetën të paprekura. Ndeshja e fundit e së shtunës ishte ajo që u luajt në mbrëmje në Korçë, midis Skënderbeut dhe Teutës, që gjithashtu u mbyll në barazim 1-1.