AlbanianSport.com 10.11.2016 15:50
ASNN – Arrestimet e 4 personave, nën akuzën e akteve terroriste të mbetur në tentativë, të premten e kaluar në Shkodër dhe zhvendosja e ndeshjes në “Elbasan Arena” ka rritur masat e sigurisë për ndeshjen eliminatore, Shqipëri-Izrael. FSHF po mban sekret detajet e mbërritjes së skuadrës mike, ndërsa Televizioni Shqiptar ka mësuar se ku do të akomodohet stafi dhe skuadra izraelite.
Për sigurinë e kësaj ndeshje burimet bëjnë me dije se do të angazhohen rreth 3 mijë efektivë të policisë dhe disa helikopterë. Mbërritja e skuadrës përfaqësuese të Izraelit për ndeshjen eliminatore të Botërorit 2018 me Shqipërinë, po mbahet sekret nga Federata Shqiptare e Futbollit. Nga ana e saj, nuk jepet asnjë informacion për itinerarin dhe se ku do te akomodohen izraelitet.
Dhe këtë, përfaqësuesit e organizmit që qeveris futbollin shqiptar e përligjin me faktin e sigurisë skuadrës. Të kontaktuar nga Televizioni Shqiptar, zyrtarë të FSHF-së tha se “nuk janë të autorizuar të përgjigjen, kjo për çështje sigurie. “Edhe izraelitët kanë kërkuar vetë të mos e bëjmë me dije për momentin”, – ka sqaruar zyrtari në fjalë i Federatës.
E ndërsa orari i mbërritjes mbahet sekret, vendi ku do të akomodohet skuadra izraelite nuk mund të jetë i fshehtë. Kjo për faktin se që prej mëngjesit të së enjtes, Hotel “Plaza” në qendër të Tiranës, është marrë në dorëzim nga policia. Efektivë të rendit, të njësisë “Shqiponjat” dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë kanë rrethuar perimetrin e hotelit, i cili po mbahet nën vëzhgim dhe me armatim.
Çdo automjet që futet në parkingun e hotelit i nënshtrohet një kontrolli të rreptë. Me urdhër të FIFA-s, ndeshja Shqipëri-Izrael u zhvendos drejt Elbasanit për arsye sigurie, nisur nga arrestimet e 4 personave të premten e kaluar në Shkodër, nën akuzën e akteve terroriste të mbetur në tentativë. Në pranga përfunduan shtetasit Ergys Faslija e Bekim Protopapa, ndërsa ka dyshime se ata janë pjesë e një grupi terrorist, që po organizonin një sulm të mundshëm në Stadiumin “Loro Boriçi” gjatë ndeshjes me Izraelin.