AlbanianSport.com 19.02.2017 09:05
ASNN – Lushnja ka mundur të shtunën Sopotin me rezultatin e thellë 4-0, në ndeshjen e vlefshme për javën e 16-të të Kategorisë së Parë. Canka, Sefa Çela e Branicës janë autorët e golave të shënuar nga ana e skuadrës vendase në këtë sfidë. Pas kësaj fitoreje Lushnja vazhdon të ruajë vendin e parë në grupin B. Kështu, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë për teleshikuesit, drejtpërdrejt emocionet e ndeshjes Lushnja-Sopoti, të vlefshme për javën e 16-të të grupit B, apo grupit të Jugut, të Kategorisë së Parë.
Skuadra lushnjare nuk e ka patur të vështirë të shënojë 4 gola në portën e Sopotit dhe të ruajë kryesimin e grupit B, tanimë me 38 pikë. Vendasit kalojnë në epërsi që në minutën e 29-të. me anë të Cankës. Futbollisti lushnjar arrin të mposhtë portierin e Sopotit, Bejte, me anë të një goditje me të majtën në hyrje të zonës. Në fund të pjesës së parë, Lushnja dyfishon shifrat.
Çela ekzekuton një goditje dënimi në minutën e 43-të, duke goditur shtyllën. Topin e rikthyer në fushë është Sefa, i ndodhur pranë portës, që e dërgon në rrjetë. Me rezultatin 2-0 për Lushnjën mbyllen 45 minutat e para. Edhe në pjesën e dytë, vendasit janë më kërkues dhe, në të 66-ën minutë vjen edhe goli i tretë. Është kapiteni Gentian Çela, i cili realizon pas një ekzekutimi të shkëlqyer të goditjes së dënimit.
Ndër sulmet e pareshtura të vendasve, Lushnja shënon edhe golin e 4-t, në minutën e 80-të, me një sulm të shpejtë, të cilin e finalizon me sukses Branica. Me një gjuajtje me të majtën brenda zonës, futbollisti lushnjar mposht për herë të katërt portierin e Sopotit, Bejte. Ndërsa në të 84-ën minutë, vetëm shtylla i mohon Lushnjës golin e 5-të pas goditjes së Çelës.
Në përfundim të 90 minutave, Lushnja fiton 4-0 me Sopotin, duke marrë kështu 3 pikë të tjera e duke e mbajtur të paprekur kolonën “0” të humbjeve.