AlbanianSport.com 08/01/2021 18:55
ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur në fillim të muajit dhjetor kursin e përgatitësit atletik. Drejtuesi i këtij kursi është përgatitësi atletik i kombëtares shqiptare të futbollit, Luixhi Febrari, i cili sëbashku me bashkëpuntorët e tij Astrit Maçi, Luka Laurenti dhe Iris Selimi, kanë bërë bashkë disa nga lektorët më të mirë në Itali dhe po u ofron pjesëmarrësve një mundësi të shkëlqyer për t’u kualifikuar profesionalisht përmes një kursi që do të ofrojë të gjithë eksperiencën më të mirë bashkëkohore.
Siç dihet, pjesë e ekipit udhëheqës të këtij kursi është edhe Luka Laurenti, zëvendëstrajneri i përgatitjes atletike të Kombëtares shqiptare të futbollit. Duke folur për ecurinë e deritanishëm të kursit, Laurenti shprehet i kënaqur për këtë nismë dhe angazhimin e pjesëmarrësve, ndërsa thekson se në ditët e sotme nuk mund të flasësh për sport apo futboll pa folur për rolin e përgatitësit atletik. “Sigurisht është një nismë mjaft e vyer”, – ka thënë ai fillimisht.
“Roli i përgatitësit atletik në vitet e fundit është bërë i një rëndësi thelbësore dhe është tashmë një figurë e domosdoshme për stafin teknik të çdo skuadre, – ka vijuar italiani. – FSHF-ja e ka kuptuar se sa e rëndësishme është të investojë për këtë profesion dhe ky kurs e vërteton më së miri këtë fakt. Ky është vetëm fillimi, do të organizojmë më shumë kurse, sepse kemi parë që ka shumë kërkesa, shumë interes dhe shumë pjesëmarrje.”
“Është vërtetë në nismë e mirë dhe do të falënderoj FSHF-në për besimin e dhënë, – ka theksuar anëtari i stafit teknik të Kombëtares kuqezi të futbollit. – Deri tani kursi po shkon mirë, të gjitha leksionet po i bëjmë online dhe mendoj se produkti final do të jetë mjaft i mirë pasi interesi është i madh. Përmes platformave të komunikimit online ne kemi sjellë në këtë kurs disa nga profesorët më të mirë në Itali, të cilët japin mësim edhe në Koverçano.”
“Jemi përpjekur të sjellim në këtë kurs profesorët më të mirët në qarkullim në mënyrë që trajnimi të jetë sa më specializuar, – ka vijuar Laurenti. – Në ditët e sotme një skuadër ka një staf me përgatitës atletikë brenda stafit teknik. Nuk ka më vetëm një trajner atletik, në klubet e mëdha kanë 7, 8 apo 9 përgatitës, ku secili është specializuar për një fushe të ndryshme të përgatitjes fizike. Të flasësh për një sport pa folur për përgatitësin tashmë është e pamundur. Nuk ekziston më koncepti, që një trajner i bën të gjitha.”