AlbanianSport.com 30/09/2019 22:50
ASNN – Ka qenë e jashtëzakonshme të hënën në mbrëmje shtatshkurtëra e artë e atletikës shqiptare, Luiza Gega…! Thyen me 2 sekonda e 7 të qindtat rekordin dhe është në 9-shen e më të mirave të planetit. Një garë e jashtëzakonshme ajo e 3,000 m me pengesa, ku u thye rekordi i Kampionatit Botëror, ku 9 prej atleteve dhanë kohët e tyre më të mira apo më të mirat e vitit, dhe ku u thye rekordi kombëtar i Gjermanisë, Danimarkës dhe Shqipërisë.
Luiza Gega u rendit e 9-ta në botë në garën e 3,000 metrave me pengesa që u mbajt të hënën në Doha. Atletja shqiptare regjistroi kohën 9 minuta, 19 sekonda e 93 të qindtat. Një përmirësim me më shumë se 2 sekonda nga rekordi që mbahej nga vetë Luiza Gega. 30-vjeçarja arriti kështu objektivin e vendosur për këtë veprimtari. Synimi i radhës është përfaqësimi sa më i mirë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” ku Gega e ka siguruar tashmë pjesëmarrjen.
Kështu, atletja kuqezi, përfaqësuesja e vetme e Shqipërisë në këtë veprimtari, e ka mbyllur në vendin e 9-të finalen e 3,000 metrave me pengesa në Botërorin e Doha zhvilluar sot, duke dhënë kohën 9’19”93. Kjo kohë është rekord i ri kombëtar në këtë disiplinë, teksa koha e mëparshme ishte 9’22″00. Gega garoi mes 15 atleteve më të mira në botë në këtë distancë, duke bërë një paraqitje shumë të mirë dhe vendosur rekord të ri kombëtar.
Pavarësisht se atletja kuqezi nuk ishte asnjëherë mes atyre që dueluan për podium, Gega bëri një paraqitje të mirë dhe konstante gjatë garës, duke arritur objektivin e saj, të vendosë rekord të ri kombëtar. Ajo la pas 6 atlete të tjera në këtë finale, duke u konfirmuar atletja më e mirë shqiptare. Gara e 3000 metrave me pengesa u fitua nga atletja keniane, Beatrisë Çepkoeç (8’57”84), që është edhe rekordmene e botës në këtë distancë. Luiza Gega është atletja e parë shqiptare që kualikohej në finalen e një botërori të atletikës.